Agim Vinca në hapje të Panairit: Kur librin e shpërfill një shoqëri, vihet në pyetje ardhmëria e saj

Agim Vinca në hapje të Panairit: Kur librin e shpërfill një shoqëri, vihet në pyetje ardhmëria e saj

22:43, 07/06/2022

Profesori, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Agim Vinca me rastin e hapjes së Panairit të Librit 'Prishtina 2022', ka mbajtur një fjalë rasti, ku ka theksuar se  pas një pauze të imponuar dyvjeçare, Prishtina po i hap sot përsëri dyert e Panairit të Librit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe kulturës, ato dyer që s’ka mundur t’i mbyllë kurrë asnjë epidemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues, shkruan Syri.net Kosova.

Profesor Vinca ka shtuar se librat shkruhen në heshtje e vetmi, por libri nuk ka kuptim pa atë që i dedikohet, Lexuesin. 

"Dikur në këtë vend ka ndodhur që janë djegur librat si në mesjetë. Djegia e librit është krim, por shpërfillja e librit krim edhe më i madh. Kur vlerën e librit e shpërfill një person pëson kultura e tij, ndërsa kur këtë e bën një shoqëri vihet në pyetje ardhmëria e saj", ka theksuar mes tjerash Vinca.

Postimi i plotë i Agim Vincës:

Fjala në hapje të Panairit të Librit “Prishtina 2022”

Të nderuar miq dhe kolegë,
Krijues, botues, lexues e të tjerë,
Zonja dhe zotërinj!

Pas një pauze të imponuar dyvjeçare, Prishtina po i hap sot përsëri dyert e Panairit të Librit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe kulturës, ato dyer që s’ka mundur t’i mbyllë kurrë asnjë epidemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues.

Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat me të cilat është ndeshur në shekuj; i ka mposhtur ato dhe ka ardhur edhe më e gjallë e më e bukur, sikurse gjuha me të cilën shkruhet. 

Fjala në përgjithësi, ajo që në Bibël është e para, kurse fjala e shkruar në veçanti, i ka hapur gjithmonë dyert e shpirtit dhe të mendjes, të lirisë dhe paqes, me një fjalë dyert e Jetës, që askund tjetër nuk frymojnë si në Libër.

Librat shkruhen në heshtje e vetmi, por libri nuk ka kuptim pa atë që i dedikohet, Lexuesin. 

Dikur në këtë vend ka ndodhur që janë djegur librat si në mesjetë. Djegia e librit është krim, por shpërfillja e librit krim edhe më i madh. Kur vlerën e librit e shpërfill një person pëson kultura e tij, ndërsa kur këtë e bën një shoqëri vihet në pyetje ardhmëria e saj.

Të dashur miq,

Pesëdhjetë vjet më parë, në vitin 1972, atëherë kur panairet mbarëkombëtare të librit, siç është ky, as që mund të imagjinoheshin, pata botuar librin tim të parë me poezi, Feniksi, nga i cili me këtë rast do t’ju lexoj një poezi. 

Titullohet: E urrej heshtjen. Në kohën e trysnisë dhe censurës, çfarë ishte ajo e para gjysmë shekulli, por edhe shumë kohë më vonë, ishte akt guximi qytetar dhe krijues t’i kundërviheshe heshtjes.

Ju falemnderit!

(Prishtinë, 7 qershor 2022)

E URREJ HESHTJEN

S'më pëlqen
kur zogjtë pushojnë së kënduari
s'më pëlqen
kur përrenjtë pushojnë së gurgulluari
s'më pëlqen
kur rrugët pushojnë së jetuari
(Përmallohem për zënka dhe sharje fëmijësh)
S'më pëlqen
kur njerëzit bëhen gurë varresh
qofshin edhe buzë varrit.
E urrej heshtjen
e urrej dhe pikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco