Piluri, çatia e botës për 3 ditë

Piluri, çatia e botës për 3 ditë

20:18, 07/06/2022 Nga Edi Lesi

Nga Edi Lesi

Sot Piluri është gdhirë si gjithë fshatrat e Labërisë, me ato pak frymë që enden e ato romuze që lëshohen në tavolinat e lodhura, teksa të njëjtët burra surbin kafen e hedhin në shpirt ndonjë teke raki, në të vetmin bar-restorant. Këtij grumbulli shtëpish ku jetojnë një grusht të moshuarish, i dhemb më shumë harresa ngjeshur fort gurëve e shpateve, duke qënë se për 3 ditë e 3 net, aty buluroi kënga e vallja, festa e dafrunga, dhe populli qe 10 herë më i shumtë.

Entuziasti Aleksandër Çipa, organizator i këtij eventi, shkon e vjen kudo qosheve të atij sheshi, dhe mirëpret vizitorët. Prej tij jemi ftuar.
Piluri ka vulën e rëndë të të atit, poetit të njohur, lirikut të madh, Lefer Çipa, një foto e të cilit qëndron në ballë të skenës së ngritur për këtë festival. Bejke e Bardhë, ka emrin edhe lokali.

Edhe të rinjtë, edhe ata që nuk kanë mantelin e profesionistëve, ja nisin aty për aty një kënge. Klodi, një 30 vjeçar, qendron majë zjarrit ku po piqet një qingj e po bëhen gjithnjë e më kafe pirgje me kukurec. Ja merr prore, e shtruar një polifonie. Nuk pretendon të jetë bart, as nuk i ka qef stërhollimet llogjike të jetës. Ja jep nga pak shishes së rakisë, dhe përtej se mes tymit e thëngjinjve të fortë të drurit që kërcasin në zgarë, shpall se aty në qelën e tij është me freskët. Jeton poshtë në Himarë, po vjen këtu këto ditë për të ndihmuar.
Shumë vetë presin të hanë prej duarve të tij.

Një natë më parë ka qënë grupi Shota i Kosovës. E kemi humbur atë ngjarje, po të gjithë që ishin, thonë se qe mbresëlënëse. Nuk janë parë asnjëherë kaq shumë makina që gjarpërojnë e nxijnë prej Potamit e deri këtu lart.

Ngjitja është e vështirë, dhe vetëm gjysma e rrugës e shtruar mirë. Kur vjen për herë të parë një si atmosferë epike të mbulon, duke të ushqyer një ide jo realiste, sikur po shkon në një vendstrehim perendish e legjendash. Nuk e përmirëson këtë dehje, edhe nëse nga opeli që rrapëllin rregullisht, del papritur një motiv nga Scorpions, “When you came in to my life”.

Ajo tabela e madhe që thotë; “Mirësevini në Pilur”, është pak marketing joshës. Pasiqë, në të vërtetë do dhe një copë udhë të mirë prej aty për të sosur në sheshin kryesor, ndoshta e vetmja sipërfaqe kaq e madhe e rrafshët mes atyre kreshtave të ashpra.

Grupe me veshjet dalluese po mbërrijnë nga çdo zonë e Labërisë. Specialistët thonë se secili fshat ka polifoninë e isot e tij unike. Me ngjyrime tipike. Prej Tepelenës e çdo ane aty, fqinje me Pilurin.

Për Lefter Çipën vijnë dhe miq të largët. Nga Suhareka, e nga Rrafshi i Dukagjinit. Po ashtu, dinjitarë të lartë e deputetë. Një gazetare e Radio Tiranës, ngjeshur mban një kapele të hijshme, dhe rravgon me mikrofron papra. Ky nuk është një zhvillim për televizionet moderne të showbizit e lajmit të fundit.

Na pat thënë Kiço, në hotelin e të cilit jemi akomoduar në Himarë, që të kërkojmë aty lart, djathë dhie. Më i miri në botë, sipas tij. Nuk e ka aspak keq.

Kiço rreth të 60-tave, i thinjur por me flokë të bollshëm, ka krijuar një shenjë të tijën, duke i lidhur mbrapa, si për të kumtuar se merret me diçka në jetë, ka një pasion. Dhe ja ku e thotë, është peshkatar, po jo si të zakonshmit. E kap gjahun me fuzhnje, duke u zhytur thellë.
Eshtë dhe ai nga Piluri, po ka zbritur me kohë në Himarën që këto ditë zien nga turistët.

Jemi rraseplasur tanimë në qendër të fshatit, ku nuk gjen shumë hapësira boshe. Nëpër kënde ku ka ndonjë hije, rakia nuk ndalon. Mjegulla e kripur e mishit të pjekur të rri në flegra. Karrige janë vendosur kudo ku mbërrijnë degët e rrapit të madh 200 vjeçar. Duhet të jetë më shumë se 35 gradë këtu lart, me gurin e pllakat që emëtojnë dhe ato zjarmi.

Po skena nuk ngelet në asnjë moment bosh. Vijnë grupet, ja lëshojnë polifonisë. Recitohen poezi e lirika, shumica patriotike.
Kryeplaku Dritan Bala na thotë se 50 shpi janë të hapura. Në verë bëhen 200 a 300 banorë, pasi fëmijet kthehen, e qendrojnë ato dy muaj.

Drejtori i këtij festivali është Kristo Çipa. Në adresimin zyrtar, nuk harron të falenderojë pjesmarrësit, e njohësit e foklorit, që sipas tij, në këtë edicion të tretë kanë qënë mbi 300.

Tre fituesit kryesore u shpallën; çmimi i parë, Lefter Çipa, grupi i Bolenës. Çmimi i dytë, Maliq Lila, grupi i Fushëbardhës. Çmimi i tretë, Feti Brahimi, grupi i Vajzës. Dhe çmimi special, Haxhi Dalipi, grupi i Romësit.

Kuptohet se, pos ekspertëve, vizitorët qenë edhe më të shumtë. Ka jo pak të huaj që shkrepin celularët dhe fiksojnë me video këto këngë me disa zëra e disa role të përcaktuara strikt, një soj, që me siguri e dëgjojnë për herë të parë.

Zbritja është një muzike më vete. Gjiri poshtë i Himarës së bukur, sikur të hapet para krahëve e të sjell tinguj tundues. Atje në ato ujëra do të kridhemi. Në darkë, na pret Kiço, që thotë se ka rakinë e uzon më të mirë në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco