Elon Musk siguron 46.5 miliardë dollarë për blerjen e Twitterit

Elon Musk siguron 46.5 miliardë dollarë për blerjen e Twitterit

18:11, 21/04/2022

Elon Musk ka siguruar 46.5 miliardë dollarësh (mbi 42 miliardë euro) për të blerë Twitterin dhe po shqyrton fillimin e një oferte tenderimi për aksionet e saj në qarkullim.

Më 14 prill të vitit 2022, shefi i Tesla dhe SpaceX ofroi të blinte të gjitha aksionet e mbetura në Twitter në një ofertë që vlerësonte kompaninë në 43 miliardë dollarë (afërsisht 40 miliardë euro).

Në një letër drejtuar drejtuesit të bordit të Twitterit, Musk tha më parë se kompania duhej të transformohej në një kompani private për t’u bërë ‘platformë për fjalën e lirë në mbarë globin’.

‘Twitter ka një potencial të jashtëzakonshëm. Unë do ta zhbllokoj atë’, tha ai, raporton Euronews.

Ditët e fundit Musk ka publikuar në Twitter një mesazh të fshehtë me fjalët ‘është nata’, me shtatë nënvizime për hapësirën bosh, një referencë e mundshme për librin e F. Scott Fitzgerald ‘Tender is the Night’.

Musk gjithashtu kishte publikuar më herët një mesazh në Twitter me ‘Love Me Tender’, të lidhur me nota muzikore, duke iu referuar këngës nga Elvis Presley.

Një ofertë tenderi do të nënkuptonte një ofertë për aksionerët e Twitter në vend të bordit. Oferta zakonisht ka një çmim shumë më të lartë se çmimi aktual i tregut. Kjo mund të lejojë Muskun të zotërojë shumicën e aksioneve në Twitter.

Por, Twitteri ishte munduar të pengonte përpjekjen e Muskut për të blerë rrjetin social përmes një ‘pilulë helmuese’ – një pajisje financiare që kompanitë e kanë përdorur kundër kërkuesve të padëshiruar.

Në javët e fundit, Musk kishte grumbulluar më shumë se 9 për qind të aksioneve në kompaninë e mediave sociale, duke e bërë atë aksionerin e dytë më të madh. Twitter më pas i ofroi Muskut një pozicion në bordin e Twitter me kushtin që ai nuk mund të blinte më shumë se 14.9 për qind të kompanisë.

Megjithatë, Musk e refuzoi ofertën dhe bëri një përpjekje për ta bërë privat Twitterin.

Bordi i Twitter aktualisht është duke vlerësuar ofertën dhe shumë investitorë dhe analistë thonë se refuzimi ka të ngjarë, duke ndaluar çdo ndryshim në ofertën nga Musk.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco