The Economist: Si do të jetë e ardhmja e teknologjisë?

The Economist: Si do të jetë e ardhmja e teknologjisë?

19:05, 27/03/2022

Ambiciet e kompanive të mëdha teknologjike. Nga metaverset te llogaritja kuantike, shkruan The Economist.

A ka ndonjë kufi ambicia dhe mendjemadhësia e kompanive të mëdha të teknologjisë? Në tetor, Mark Zuckerberg e riemëroi Facebook me emrin Meta dhe përshkroi të ardhmen e re të njerëzimit në botën virtuale.

Më 18 janar, Microsoft, me vlerë më shumë se 2 trilionë dollarë, vendosi se nuk ishte mjaftueshëm i madh dhe ofroi 69 miliardë dollarë për të blerë kompaninë e video-lojërave Activision Blizzard, duke arritur marrëveshjen më të madhe që ka lidhur ndonjëherë firma.

Këto vendime janë pjesë e një rritjeje të madhe të investimeve të reja nga pesë kompanitë më të mëdha të Amerikës: Alphabet, Amazon, Apple, Meta dhe Microsoft – ose shkurt “MAAMA”. Së bashku, ato kanë investuar 280 miliardë dollarë vitin e kaluar, ekuivalente me 9% të investimeve të biznesit amerikan, krahasuar me 4% pesë vite më parë.

Firmat e mëdha teknologjike dëshirojnë të gjejnë mundësinë tjetër të madhe dhe analiza e The Economist e marrëveshjeve, patentave, rekrutimit dhe kritereve të tjera, tregon se paratë po hidhen në çdo drejtim, duke filluar nga makinat pa shofer, deri te llogaritja kuantike.

Ky ndryshim pasqyron një frikë se fushat fitimprurëse të viteve 2010, po humbasin rëndësinë dhe titanët e teknologjisë po lëvizin gjithnjë e më shumë në drejtim të njëri-tjetrit (pjesa e shitjeve që mbivendosen është dyfishuar që nga viti 2015, në 40%). Kështu që të gjithë po kërkojnë të hyjnë në një territor të ri.

Ato kanë studiuar mirë historinë e teknologjisë, e cila është e mbushur me kompani dikur dominuese që u rrëzuan jo nga rregullatorët, por sepse nuk arritën të inovoheshin. Fairchild Semiconductor sundoi në vitet 1950, por tani ekziston vetëm në libra. Në vitin 1983, IBM ishte kompania më fitimprurëse e Amerikës, por tetë vite më vonë, ajo doli me humbje pasi dështoi në kalimin nga mainframe në kompjuterë.

Nokia, që dikur dukej e pamposhtur në pajisjet celulare, dështoi në kalimin drejt celularëve smartphone. Pesëshja MAAMA i kaloi vitet 2010 duke forcuar pozicionet dominuese: Microsoft në mjetet e biznesit; Amazon në tregtinë elektronike, Meta në mediat sociale, etj.

Pandemia ka rritur kudo kërkesën, nga njerëzit e mërzitur në divan që navigojnë online, deri te kompanitë startup që kanë nevojë për informatikë cloud. Matur nga fitimet në raport me PBB-në e brendshme, Apple dhe Alphabet tani janë më të mëdha se Steel dhe Standard Oil, dy monopolet e fuqishme të viteve 1900, Megjithatë, ecuria e kaluar nuk është tregues i rezultateve të së ardhmes, dhe tani të gjitha këto kompani po vrasin mendjen për nismat e ardhshme.

Askush nuk mund ta dijë si do të jetë e ardhmja

Problemi është se askush nuk mund ta dijë si do të jetë e ardhmja. Por ndoshta ajo do të përfshijë pajisje të reja fizike, që do të zëvendësojnë celularin smartphone si mjeti mbizotërues që lidh njerëzit me informacionin dhe shërbimet.

Prandaj, kushdo që prodhon pajisje të tilla, do të kontrollojë aksesin te përdoruesit. Kjo shpjegon pse Apple po planifikon “kufje të realitetit virtual” për të konkurruar me gamën Oculus nga Meta dhe HoloLens nga Microsoft. Alphabet, Apple dhe Amazon kanë gjithashtu plane të shtrenjta për makinat autonome.

Dhe shuma të mëdha po shpenzohen për modelimin e çipave të specializuar dhe qasjeve të reja si llogaritja kuantike, për të siguruar furnizimin me energji të çdo pajisje të re që shfaqet.

Prioriteti tjetër i pesëshes MAAMA është krijimi i platformave softuerike që do t’i lejojnë kompanitë të tërheqin përdorues. Prandaj Facebook ndryshoi emrin dhe ka bërë shpenzime vjetore prej 10 miliardë dollarësh, në botët gjithëpërfshirëse online, të njohura si “metaverse”.

Apple ka zgjeruar sferën e shërbimeve për përdoruesit e pajisjeve të tij, duke u zhvendosur në fusha si, kurset e fitnesit dhe shfaqjet televizive. Blerja e Activision mund ta ndihmojë Microsoft të ofrojë një përvojë më të pasur për klientët e video-lojërave, ndërsa Mesh, një platformë për vendet e punës virtuale 3D, ka në shënjestër korporatat.

Qeveritë, rivalët dhe me miliarda klientë, të cilët tashmë kanë frikë se këto firma janë shumë të fuqishme, mund të alarmohen nga e gjithë kjo. Një pikëpamje është se numri i madh i klientëve të kompanive dhe kontrolli i grupeve të të dhënave me të cilat mund të zhvillohet Inteligjenca Artificiale (IA), u japin atyre avantazh të pakapërcyeshëm. A nuk do ta përdorin kompanitë gjigante këtë avantazh për të mposhtur rivalët?

Megjithatë, të gjitha këto fusha të reja duken konkurruese për momentin. Për shembull, shumë firma të tjera janë në garën “metaverse”. “Fortnite”, i prodhuar nga Epic Games, ka më shumë se 300 milionë abonentë në mbarë botën, ndërsa Roblox ka 47 milionë abonentë që në total shpenzojnë 3 miliardë orë në muaj në platformën e tij. Nvidia, një firmë çipesh, po lulëzon gjithashtu.

Edhe blerja e Activision nga Microsoft, do të rriste pjesën e tij të tregut në fushën e video-lojërave në nivelin 10-15%, që nuk mund të quhet një monopol. Për sa i përket investimit në makinat autonome, kompanitë e mëdha teknologjike duhet të konkurrojnë me makina si Tesla, GM dhe Volkswagen.

Firmat globale grumbulluan 621 miliardë dollarë në financime sipërmarrëse në vitin 2021, shumë më tepër se investimet e kompanive të mëdha teknologjike. Dhe rivalë të rinj janë shfaqur me shpejtësi të papritur në disa fusha, si TikTok në mediat sociale.

Shansi

Për më tepër, ekziston një shans që terreni i ri të jetë më pak i prirur ndaj dominimit nga platformat e centralizuara. Teknologjia deep learning, forma mbizotëruese e Inteligjencës Artificiale në ditët e sotme, mbështetet në sasi të mëdha të dhënash, por format e ardhshme të Inteligjencës Artificiale mund të jenë më të ndryshme.

Sidoqoftë, rregullatorët tundohen që të bëjnë shtrëngime paraprake. Në vitin 2020, Lina Khan, e cila tani është zyrtarja më e lartë antitrust në Amerikë, rekomandoi që kompanive të mëdha të teknologjisë t’u ndalohej që të zgjeroheshin në fusha të tjera. Disa çështje të mëdha antitrust mund të arrijnë në gjykatat e Amerikës, deri në vitin 2023.

Edhe Europa së shpejti mund të miratojë një Akt Gjithëpërfshirës të Tregjeve Dixhitale, që synon të rregullojë kompanitë e mëdha të teknologjisë në një formë “ex ante” — d.m.th., duke kufizuar sjelljen e firmave të tilla që në fillim, në vend që t’i ndëshkojë ato më vonë me ligje antitrust.

Megjithatë, një zgjidhje më e butë është politika më e mirë. Investimet në teknologji janë të lidhura me rritjen e produktivitetit dhe pjesa e flukseve monetare që gjigantët e teknologjisë po riinvestojnë pothuajse është dyfishuar që nga një dekadë më parë.

Të ashtuquajturit “Trustbusters” do të luftojnë për të parashikuar teknologjitë e së nesërmes. Ata mund t’i ndalojnë firmat që të bëjnë marrëveshje, të cilat u japin atyre një pozicion monopoli në tregjet e reja aktuale. Por ky nuk është ende një rrezik.

Në të vërtetë, historia na tregon se gjigantët e teknologjisë shpesh rrëzohen për shkak se dështojnë në zotërimin e teknologjive në zhvillim. Nëse gjigantët e sotëm dëshirojnë të shpenzojnë miliarda, duke u përpjekur të zhvendosen në fusha të reja për të shmangur atë fat, deri tani nuk ka asnjë arsye për t’i ndaluar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco