Kryeakademiku Mehmet Kraja e quan gjënë më të shëmtuar për gjuhën shqipe një artikull për shkronjën Ë

Kryeakademiku Mehmet Kraja e quan gjënë më të shëmtuar për gjuhën shqipe një artikull për shkronjën Ë

11:07, 25/03/2022

Kryetari i Akademisë së Arteve e Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja ka reaguar ashpër pas publikimit në mediat online të një shkrimi për shkronjën Ë, ku shtrohet teza e heqjes së saj nga alfabeti i gjuhës shqipe.

Kraja ka postuar një status të ashpër, duke e ndërlidhur me faktin se një gjë e tillë po ndodh në 50 vjetorin e Drejtshkrimit, shkruan Syri.net Kosova.

‘KURRË NË JETË NUK KAM LEXUAR NJË GJË MË TË SHËMTUAR PËR GJUHËN SHQIPE!”, ka potencuar shkrimtari dhe akademiku i njohur.

“Lexojeni dhe binduni! Mos harroni se kjo ndodh në 50-vjetorin e Drejtshkrimit! Askush në botë, as armiqtë e saj më të mëdhenj, nuk kanë shkruar diçka të tillë për gjuhën shqipe, për të cilën shprehin respekt madje edhe ata që e urrejnë!”, përfundon postimi i kreut të ASHAK-ut, Mehmet Kraja.

Shkrimi është botuar në mediumin online Gazeta Nacionale me titull: Një shkronjë torturon një popull: A duhet ta heqim Ë-në nga alfabeti?

“Shkronja e tetë e alfabetit të gjuhës shqipe u ka nxirë jetën krejt shqipfolësve kosovarë. Bëhet fjalë për shkronjën Ë. Pra, bëhet fjalë për një zanore fare të thjeshtë dhe jo për bashkëtingëlloret e ndërlikuara si “xh” apo “dh”. Meqë Ë-ja po na torturon përditë e përnatë, shtrohet pyetja: çka të bëjmë? A ta heqim krejt nga alfabeti ynë apo thjesht të ikim nga vendi e të flasim në anglisht.

105 mijë e 601 kosovarë kanë aplikuar për viza pune në Gjermani vetëm për dy muaj. Ndërkohë, në një sondazh të Piposit, dilte se 60 për qind e të rinjve po ashtu do të iknin nga Kosova, nëse do t’u jepej mundësia. Shkronja Ë besohet – të paktën nga autori i shkrimit – të jetë një ndër arsyet kryesore që po nxit të rinjtë kosovarë të ikin nga shtëpitë e tyre.”, thuhet në hyrje të artikullit.

Më tej, citohet edhe një profesor i gjuhës shqipe në UP, Rrahman Paçarizi.

“Shkronja ‘ë’ paraqet një nga problematikat më interesante të normës së shqipes, pasi sipas rregullave të drejtshkrimit, ajo shfaqet duke ndjekur tri parimet themelore të drejtshkrimit: parimin fonetik, që më shumë i shkon toskërishtes, pasi gegërishtja e bjerr ose e alternon pa problem me ‘e’  ose ‘a’ hundore; parimin morfologjik për të shenjuar trajta gramatikore si shumësi (punëtor/punëtorë, me ç’rast ë-ja nuk shqiptohet fare), veta e tretë e lidhores (unë mund të shkoj/ai mund të shkojë) apo edhe parimin historik-tradicional (burrë/burri, lumë/lumi, djalë/djali). Realisht, gegërishtja e abstrahon në masë të skajshme ë-në si tingull, edhe pse diku-diku mund të jetë ‘lubrifikant’  i natyrshëm ndërmjet bashkëtingëlloresh vështirë të shqiptueshme.”, citohet të ketë thënë Paçarizi, që ka përmendur edhe sherre për këtë temë. “Ë-ja në njëfarë mase ka marrë edhe vlerën e markerit ideologjik, të identifikimit me shqipen standarde e me Shqipërinë, teksa ka një tendencë që ajo të zërë vend hiperkorrektivisht në fjalët si ‘shqipëtar’, ‘ tradhëtar’. Në një takim të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, kur kërkuam që ë-ja të hiqet nga fjalët si ‘kombëtar’, reagimet ishin shumë të ashpra, pasi dikush konsideronte se po e shkatërronim shqipen, duke hequr shkronjën ‘ë’ pikërisht të fjala ‘kombëtar’, duke harruar që pikërisht më rregullat e 72-shit ishte hequr nga fjalët ‘shqipëtar-shqiptar’ , ‘arësim-arsim”, etj.”, vijon më tej deklarate e Paçarizit për Nacionalen.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco