Twitter ofron faqe alternative për rusët që dëshirojnë të informohen

Twitter ofron faqe alternative për rusët që dëshirojnë të informohen

21:20, 10/03/2022

Kompania Twitter njoftoi se ka krijuar një variant të ri të shërbimit të saj që mund të përdoret edhe nga personat që gjenden në Rusi, duke shmangur kështu kufizimet që i janë vendosur në këtë vend.

Shërbimi do të bëhet i disponueshëm nëpërmjet një adrese të posaçme tek e cila mund të hyhet vetëm duke përdorur programin Tor.

Këto lloj adresash anonime (onion URLs) dhe programi Tor janë përdorur në të kaluarën nga personat që dëshirojnë të shmangin çensurën, por njëkohësisht edhe personat e përfshirë në aktivitete të paligjshme në të ashtuquajturin "internetin e errët" (darkweb).

Njoftimi për faqen e re u bë nga një inxhinier që punon për kompaninë Twitter.

"Ky është ndoshta mesazhi më i rëndësishëm dhe më i shumëpritur që kam shkruar ndonjëherë. Në emër të @Twitter, kam kënaqësinë të njoftoj shërbimin e ri paralel @TorProject", shkruajti Alec Muffett.

Rusia bllokoi Twitter-in dhe Facebook-un pas sulmit ndaj Ukrainës. Këto kompani nga ana e tyre kanë kufizuar qasjen tek mediat shtetërore ruse në disa vende.

Faqe të tilla paralele ka patur prej kohësh në funksionim kompania Facebook, si dhe grupi mediatik britanik BBC./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco