Ca vështrime mbi librin apo të jesh botues në Kosovë

Ca vështrime mbi librin apo të jesh botues në Kosovë

23:39, 21/01/2022

Nga: Edon Zeneli

Ca vështrime mbi librin apo të jesh botues në Kosovë

Së fundmi patëm një takim me Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun, ku diskutuam mbi sfidat dhe problemet e botuesve dhe librit në Kosovë. Duke shërby si shkas, mora kohën e nevojshme për të vendosur në letër e për të diskutuar mbi disa probleme të botuesit dhe të qarkullimit të librit në Kosovë.

E para, Pako e Rimëkëmbjes (do ta quaja Pako e Mëkëmbjes në fakt!) për botuesit. MKRS ka një politikë më dinamike prej që ministër është Hajrulla Çeku. Kjo është për t'u përshëndetur. Megjithatë, është e nevojshme që më në fund pjesë themelore e politikës së MKRS-së të jenë edhe botuesit, të cilët me mosmbajtjen e dy panaireve veçse janë dëmtuar e dobësuar edhe më shumë paçka se s'qëndronin mirë edhe paraprakisht.

E dyta, çështja e TVSH-së. Vende si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, etj., e kanë ose 0 TVSH-në, ose më të ulët se Kosova. A i bie kjo që në Kosovë lexohet shumë, ose, më shumë se në vendet e sipërpërmendura dhe nuk ka nevojë të stimulohet libri dhe leximi? Si duket... 

E treta, shumë e rëndësishme: Libri i botuar në Kosovë taksohet për të qarkulluar në Shqipëri. Kjo është e papredecentë dhe e papranueshme. Prej 1 janarit 2020, libri që botohet në Kosovë duhet të paguajë 6% taksë (Tvsh) për të hyrë në Shqipëri. Pa i llogaritur shpenzimet doganore. Nuk e di kujt i shërben kjo por është e qartë që më së paku unifikimit e integrimit të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Kjo le që bie ndesh me çdo logjikë e etikë, por shkel edhe parimet e marrëveshjeve mes dy ministrive për të lehtësuar qarkullimin e librit shqip, gjë që, tekembrama, favorizon librat e botuar në Shqipëri të cilët dominojnë tregun edhe në Kosovë, se për Shqipëri të mos flasim. 

E katërta, po aq e rëndësishme: Libri i botuar në Kosovë mungon në bibliotekat e Shqipërisë. Praktikisht, lexuesi në Shqipëri pos panairit të librit ku paraqiten botuesit e Kosovës, mezi pikëtakohet me librin e botuar në Kosovë. Është krejt e kundërta për lexuesin e Kosovës në raport me librin e botuar në Shqipëri. Për shembull, së fundmi është publikuar lista e librave që Ministria e Arsimit (e Shqipërisë) ka sugjeruar për blerje e furnizim të bibliotekave shkollore anembanë Shqipërisë. A e dini sa janë botime nga Kosova? 0. Zero. Nul. Ndërkaq, po t'i studiojmë listat e tenderëve publikë në Kosovë për furnizimin e bibliotekave publike, të qyteteve dhe shkollore, libri i botuar në Shqipëri dominon ndjeshëm. Hiç më larg se para dy-tre vitesh, u blenë nga Zyra e Kryeministrit nja 300,000€ libra, ku botime të Kosovës ishin as 10%. Çfarë mësojmë nga kjo? Mirë që shumica e librave që botohen në Kosovë edhe ashtu bashkëpunëtorë kanë përkthyes e redaktorë nga Shqipëria, por duhet edhe të shtypin e të pajisen me ISBN-të e Shqipërisë që të vlejnë diçka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco