Historitë e nënave nxjerrin në pah tragjedinë e të zhdukurve të Kosovës

Historitë e nënave nxjerrin në pah tragjedinë e të zhdukurve të Kosovës

11:01, 10/01/2022

Në librin e tij të fundit, autori Ag Apolloni tregon historitë e dy nënave shqiptare të Kosovës, djemtë e të cilave u zhdukën gjatë luftës së viteve 1998-1999, por jeta e të cilave mori drejtime shumë të ndryshme si pasojë e mjerimit që ato kaluan.

Pak ditë pasi iu sollën eshtrat e djemve të saj, Pashka vrau veten duke u djegur për së gjalli.

Djemtë e saj ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe si shumë të tjerë, trupat e tyre u gjetën dhe u varrosën shumë vite më pas. Pashka zbuloi se nuk mund të jetonte në një botë që ishte indiferente ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve kundër fëmijëve të saj.

Për Ferdonijen, një tjetër nënë shqiptare e Kosovës, e cila humbi katër djemtë dhe burrin e saj në luftë, gjërat shkuan ndryshe. Pasi mori eshtrat e dy djemve të saj, ajo vazhdoi të priste të tjerët që vazhdonin të rezultonin ende të zhdukur. Ajo vazhdon të presë edhe sot e kësaj dite.

Historia e këtyre dy grave, të lidhura me tragjedi të ngjashme, por të ndara nga fate të ndryshme, tregohet nga shkrimtari kosovar Ag Apolloni në romanin e tij të fundit dokumentar, “Një Fije Shprese, Një Fije Shkrepëse”, i cili u botua në vitin 2020.

Romani përshkruan vizitën e tre miqve në shtëpinë e Ferdonijes në qytetin e Gjakovës, duke eksploruar kujtimet e tyre të kohës së luftës, si dhe kujtimet e saj dhe të Pashkës.

“Ideja për librin erdhi krejt rastësisht, nga një ftesë që më bëri një prej dy miqve me të cilët udhëtova në Gjakovë për të vizituar Ferdonijen”, kujton Apolloni.

“Gjatë asaj vizite, kuptova se ajo po jetonte për të mbajtur gjallë kujtimet e familjes së saj të zhdukur dhe aty më në fund vendosa të shkruaj një roman për ta ndihmuar atë nënë të përjetësonte kujtimin e djemve dhe burrit të saj”, tha ai.

Apolloni, i cili tani është 39 vjeç, ishte adoleshent gjatë luftës së Kosovës dhe e kujton atë si një periudhë tragjike në jetën e tij dhe të njerëzve të afërt. “Kujtimet e luftës janë kujtimet më traumatike që kam, sigurisht”, tha ai.

Ai kujton panikun, të shtënat me armë, refugjatët që iknin nëpër male dhe britmat e njerëzve që sapo kishin marrë vesh se familjet e tyre ishin masakruar – të gjitha këto e bënin atë të mendonte në atë kohë se “njerëzimi ishte në grahmat e vdekjes”.

“Duke marrë parasysh se lufta nuk erdhi në befasi, por si rezultat një konflikt i cili filloi pas shtypjes çnjerëzore dhe sistematike nga regjimi serb, e gjithë periudha e jetës sime deri në çlirimin e Kosovës ishte një kohë e vështirë, si për mua ashtu edhe për Kosovën”, shtoi ai.

Vuajtje dhe durim

Apolloni ka lindur në vitin 1982 dhe ka shkruar tre romane, disa drama dhe disa përmbledhje me poezi. Drama e tij e parë, e shkruar në vitin 2003, bazohej në një histori që ai kishte dëgjuar për një kriminel lufte që mblodhi sytë e viktimave të tij.

Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe ka drejtuar disa revista ndër vite. Në vitin 2010 ribotoi për tre vjet revistën më të vjetër letrare në Kosovë “Jeta e Re” dhe në vitin 2013 themeloi revistën kulturore “Symbol”.

Ministria e Kulturës e Kosovës e vlerësoi “Një fije shprese, një fije shkrepëse” si libri më i mirë i vitit 2020.

Apolloni e mësoi për herë të parë historinë e Pashkës kur ishte student dhe lexoi për vdekjen e saj “të fshehur në një gazetë… u trondita shumë”.

“Me aktin e saj vetë-sakrifikues, ajo u bë simbol i tragjedisë për Kosovën”, argumentoi ai.

Ai tha se donte të tregonte se Ferdonija dhe Pashka janë “dy figura të bëra nga i njëjti metal”.

“Ato simbolizojnë dy qëndrime ndaj vuajtjeve të mëdha që shkaktoi lufta në shoqërinë tonë – njëri i rebelimit, tjetri i durimit; të dyja jashtëzakonisht të dhimbshme.”

Ai tha se nuk ka zgjedhur të shkruajë për këtë temë, por se vetë tema e ka tërhequr ngadalë.

“Fillimisht ftesa për vizitë, pastaj vizita dhe më vonë emocionet, reflektimet dhe gjithçka që lidhet me atë person, Ferdonijen, e cila ishte shembull vuajtjeje dhe durimi”, shpjegon Apolloni.

Frymëzimi i Apollonit, Ferdonije Qerkezi nga jeta reale, është e njohur për publikun për shkak të një fotografie të publikuar gjerësisht që e tregon atë të vetme në tryezën e darkës në shtëpi me pjata me ushqim për gjashtë persona të vendosur para saj.

Që nga rrëmbimi i bashkëshortit dhe katër djemve të saj në mars 1999, ajo nuk e ka ndryshuar fare shtëpinë e saj dhe ende shtron tryezën për të gjithë familjen e saj gjatë vakteve, edhe nëse disa prej tyre nuk do të kthehen kurrë për të ngrënë me të.https://ads.kallxo.com/www/delivery/lg.php?bannerid=91&campaignid=22&zoneid=61&loc=https%3A%2F%2Fkallxo.com%2Flajm%2Fhistorite-e-nenave-nxjerrin-ne-pah-tragjedine-e-te-zhdukurve-te-kosoves%2F&referer=https%3A%2F%2Ffax.al%2F&cb=d0615f0da2

“Nga një familje e mrekullueshme prej tetë anëtarësh (Qerkezi, bashkëshorti, katër djemtë dhe dy gratë e djemve), ajo mbeti e vetme. Kjo do të thotë se nga një dramë e lumtur familjare, jeta e saj u kthye në një monodramë depresive”, tha ai.

Apolloni mblodhi dokumente dhe video materiale gjatë hulumtimit për librin e tij. “I lexova dhe i pashë dhe më pas i futa në roman, nga i cili nuk u shkëputa për asnjë ditë gjatë një viti e gjysmë që zgjati procesi i shkrimit të tij”, tha ai.

“Për të shkruar një libër me histori kaq prekëse, duhej zemra krahas mendjes. Dhe pa hezitim, e vendosa zemrën time brenda kopertinave të këtij libri.”

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco