Mbahet Konferenca e Katërt Teatrore, artistët e rinj kërkojnë më tepër mbështetje

Mbahet Konferenca e Katërt Teatrore, artistët e rinj kërkojnë më tepër mbështetje

21:52, 29/12/2021

Për herë të katërt në Prishtinë, u organizua Konferenca Teatrore.

‘Të rinjtë dhe teatri”, ishte tema e kësaj ngjarjeje vjetore, që bëri bashkë artistët e rinj kosovarë në fushën teatrore, këtë të premte me 29 dhjetor.

Diskutimet kanë nxjerrë në pah përkushtimin e profesionistëve të rinj në teatër, por edhe vështirësitë që hasin ata në rrugën e konsolidimit të tyre.

Edhe pse nga shteti, niveli qëndror dhe lokal, ndahen fonde për teatrin, panelistët adresuan në mënyrë kritike sfidat me të cilat po përballen në veprimtarinë e tyre artistike.

Xheraldina Krasniqi, regjisore e sapodiplomuar, tregoi përvojën e saj që nga koha e studimeve në nivelin bachelor dhe tani në atë master. Problemi kryesor sipas saj, është mungesa e hapësirës.

Gjithashtu, pengesë e madhe është edhe aspekti teknik si dhe ai financiar

Në mungesë fondesh, është e vështirë të sigurohet pagesa për aktorët dhe stafin teknik.

Ndërsa regjisori i ri Skënder Podvorica foli për shfaqjen e tij të diplomës e cila është financuar nga komuna e Prishtinës, por shuma ka qenë fare simbolike. Sipas tij, pa mbështetje serioze, edhe produktiviteti është i dobët.

Panelistët e Konferencës Teatrore, gjithashtu theksuan se në kushtet e pandemisë disa projekte janë ndëprerë dhe janë shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndërkohë, Gëzim Hasani regjisor dhe kompozitor, solli shembuj nga projektet e tij më të rejate.

Ai potencoi faktin se problem kryesor për artistët e rinj është mundësia e kufizuar për të promovuar artin e tyre.

Mungesa e fondeve dhe eventeve speciale për artistët e rinj, është sfidë më vete, u shpreh Hasani.

Ai ka propozuar që të bëhen memorandume mes Fakultetit të Arteve, teatove dhe Ministrisë së Kulturës, në mënyrë që të lehtësohet krijimtaria teatrore e të rinjve.

Konferenca Teatrore është një projekt i organizatës së specializuar në fushën e teatrit, Cult Club, e udhëhequr nga regjisorja e njohur Elmaze Nura, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në UP.

Nura, e cila është drejtoreshë e Konferencës Teatrore, është shprehur se edhe konferenca e katërt, ka rezultuar e dobishme për komunitetin artistik, me fokus të rinjtë,

Sipas saj, problemet e evidentuara, duhet të trajtohen nga institucionet përkatëse dhe të rinjtë në teatër duhet të kenë mbështetje më të madhe.

Rekomandimet e konferencës, janë ndihmesë për avancimin e teatrit në Kosovë.

Konferenca Teatrore –Edicioni IV u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe nga Komuna e Prishtinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco