VIDEO/ Komedia “Edmond” rikthen artdashësit në teatër

VIDEO/ Komedia “Edmond” rikthen artdashësit në teatër

17:27, 26/10/2021

Parisi i dikurshëm dhe magjia e procesit të të shkruarit të një vepre, riktheu dashamirësit e artit pas një periudhe gati 2 vjeçare mungesë, në Teatrin Kombëtar. Komedia “Edmond” me nota komike dhe dramatike njëherazi, nën drejtimin e regjisorëve Indrit Çobanit dhe Andia Xhunga, ka ngritur perden e teatrit, që rininis aktivitetin pas pezullimit të gjatë për shkak të pandemisë Covid 19.

Ishte dhjetori i vitit 1897, kohë në të cilën zë fill ngjarja në Paris.

Edmond Rostand, dramaturgu 29-vjeçar, që interpretohet nga aktori Lulzim Zeqja, ka dy vite që nuk shkruan asgjë. I ndodhur përballë detyrës prindërore për të rritur dy fëmijët e tij, si dhe mungesës së frymëzimit, që e kishte munduar gjatë, Rostandit i bëhet një ftesë nga Kostant Koklën, një prej aktorëve të famshëm të Francës në ato vite. Dramaturgu i premton atij rolin kryesor në një komedi të shkruar në vargje, premiera e të cilës do të transmetohet në prag të festave të fundvitit. Problemi kryesor në këtë pikë të veprës është se komedia nuk është shkruar ende. Nga këtu Edmondi do të jetë i sprovuari i kohës. 

I duartrokitur disa netë me radhë për konceptimi regjisorial Indrit Çobani rrëfen për Syri Tv, rikthimin e bujshëm përmes kësaj shfaqjeje në teatër, arysen kryesore pse u përzgjodh “Edmond” për të rigjallëruar raportin teatër-publik, si dhe etjen e artdashësve që po përjetojnë katharsis përmes një komedie, që i ngjason një feste të madhe.

Detyra që e pret Edmondin është të shkruarit e një vepre që duhet të jetë me vlera të larta estetike. Përgjatë këtij procesi hera-herës të mundimshëm, ku nuk mungojnë as notat e humorit dhe prezenca e aktorëve dhe producentëve, dramaturgu zgjedh të përjetësojë në letër  historinë e dashurisë së mikut të tij. Vepra “Sirano dë Bërzherak”, luhet nga Kostant Koklen, ndërsa arrin të bëhet një ndër shfaqjet më të suksesshme.

Një nga rolet më të rëndësishme të karrierës artistike, e quajti aktori Lulzim Zeqja shpirtëzimin me karakterin e Edmond, ndërsa tregoi edhe prapaskenat e shfaqjes.

Një gardierobiere e re që punon në teatrot e Parisit, ëndërron të bëhet aktore. Një natyrë shumë romantike dhe pasiononte, pwr të cilën aktorja Ilirda Bejleri shprehet:

20 batutat e Anton Çehovit, që do kishte dashur të kishin zgjatur edhe më tepër. Momenti i interpretimit të tij në skenë qe mjaft emocionues për aktorin Genti Deçka:

Kostanti merr përsipër zhvillimin e veprës, ndërsa Vasjan Lami, që mbetet ne rolin e aktorit më të famshëm në Francë,  tregon të veçantën e këtij karakteri, ndërsa përgatitej në dhomën e grimit:

Luajtja e disa personazheve, shkrirja e frymës artistike dhe interpretimi plot dëshirë vijnë përmes rrëfimit të Ina Gjonçit.

Një shfaqje e realizuar nga fryti i kastit të jashtëzakonshëm të aktorëve dhe puna regjisoriale, për të cilin Genci Fuga nuk mund të mos shprehej i lumtur, për këtë rikthim të mezipritshëm në teatër:

Aktori që gjithë jetën ia kushton teatrit, nuk mund të rrijë dot gjatë pa e prekur magjinë e skenës u shpreh Arben Derhemi.

Rikthimi i aktorëve në Teatrin Kombëtar, ashtu sikurse edhe i publikut që mbushi sallën e Arturbinës, për të ndjekur shfaqjen Edmond i ngjante festës së perëndive në Olimp, dhe tregoi po ashtu se sa i rëndësishëm është ushqimi shpirtëror për njerëzit, në kohën kur bardhezia pushtoi botën. Mes emocionesh aktorët treguan përjetimet e ringjitjes së skenën e Teatrit dhe mirëpritjen e dashamirësve të artit.

 “Vetëm në teatër mund të jetoja”, ka thënë dikur Oscar Wilde. Me shfaqjen “Edmond”  trupa e aktorëve dhe dyshja regjisoriale, kanë arritur jo vetëm të ngrenë peshë shpirtrat e trazuar të njerëzve, po dhe të përforcojnë mendimin, se më shumë se gjithçka njerëzit duhet ta duan artin, si një mënyrë për t’u arratisur qoftë edhe për një grimçast nga kaosi i botës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco