'Madhështia e një gruaje që i ndërroi mendimet'

'Madhështia e një gruaje që i ndërroi mendimet'

16:56, 26/10/2021

Shkruan Daut Dauti:

Madhështia e një gruaje që i ndërroi mendimet: Edith Durham (1863-1944)

Edith Durham erdhi në Ballkan e pajisur me idelogjinë liberale gladstoniane, e cila ishte anti-otomane, dhe se e tillë, e pro krishterë. Në librin e saj të parë "Through the Land of the Serb" (Nëpër tokat e Serbisë), botuar më 1904, që është harruar edhe nga serbët dhe nga shqiptarët e që nuk duhet të harrohet, ajo e përshkruan situatën e atëhershme në Serbi. Ajo ka qëndrim kritik, por simpatia e saj qëndron në anën e Serbisë. Më vonë, kur ajo u njoh me shqiptarët, filloi të simpatizonte për kauzën e tyre nacionale. Por, kjo ishte vetëm simpati kurse ajo ende qëndronte në anën e serbëve dhe malazezëve. Si anti-otomane besonte se kombet e Ballkanit duhej të çliroheshin dhe të vendosnin sundim demokratik siç ekzistonte në shumë vende evropiane.

Me kalimin e kohës qëndrimi i saj do të ndryshonte në mënyrë drastike. Në mëngjesin e 9 tetorit të vitit 1912 Durham shkoi në Goricë si gazetare. E pa ushtrinë malazeze të gatshme për luftë dhe e vrojtoi knjazin e tyre, Nikollën, kur dha urdhër që ta zbrazej topi i parë në drejtim të Shqipërisë. Me këtë filloi Lufta Ballkanike dhe Durham me gëzimi u kthye në Cetinë për ta dhënë e para lajmin në botë që u botua në dy gazetat kryesore britanike dhe evropiane të asaj kohe (The Manchester Guardian dhe The Chronicle). Në një gazetë tjetër, “The Nation“, ajo shkroi për t'i shfaqur edhe ndjenjat e saja politike:"Gladstone kishte të drejtë kur tha se turku duhet të shkoj me thes e me plaçka". Këto ndjenja ishin në përputhje me liberalizmin gladstonian dhe me ideologjinë pan-sllave.

Pa kaluar një javë, Durham e vizitoi Tuzin për t'ia uruar princit malazez fitoren dhe me veturë zyrtare mbretërore u kthye në Cetinë. Në mbrëmje e vështroi përfundimin e asaj dite dhe në gazetën "The Daily Chronicle" në artikullin "How Tuzi fell" (Si ra Tuzi), shkroi:
"Hëna e hollë ndriçonte me butësi në qiell - tashti e vetmja hënë mbi tokë. Hëna, emblema turke është vënë përtokë, shpresojmë përgjithmonë".

Për ta ndihmuar luftën e Malit të Zi kundër otomanëve, Durham filloi të punonte si infermiere në ushtrinë malazese. Me shërimin e ushtarëve të plagosur malazezë dëshironte ta ndihmonte luftën e këtij vendi kundër otomanëve.

Në spitalet ushtarake malazeze e vërejti tmerrin. Të plagosurit e ushtrisë otomane jo që nuk shëroheshin, por malazezët ua prenin hundët, veshët, kokat dhe ua rjepnin lëkurën për së gjalli apo për së vdekuri ushtarëve otomanë. As mjekët malazezë nuk e shihnin si problematike këtë punë. Një ditë, një ushtarë i plagosur malazez i kishte thënë se dëshironte të shërohej sa më shpejt që të merrte pjesë në plaçkitjen e Shkodrës dhe në dhunimin e grave shqiptare. Një mjek malazez i kishte thënë se prerja në fyt e grave shqiptare dhe fëmijëve në Shkodër, ishte në rregull. Për këtë arsye Durham u ankua te qeveria malazeze, e cila qeshi me këtë rast.

Në këtë moment Durham vendosi ta braktiste punën e saj si infermiere. Nuk pranoi ta ndihmonte këtë mentalitet. Një ditë pa se si grupe të grave malazeze po ktheheshin të lumtura nga Kosova ku grave të gjalla e të vdekura shqiptare të Pejës ua kishin plaçkitur edhe rrobat e trupit. Një ditë tjetër një oficer serb i tregoi me mburrje për masakrat që kishte bërë në Lumë. Maskrat kundër ushtarëve otomanë dhe popullsisë shqiptare nuk ndaleshin. Durham e vërejti shpejt se kjo luftë nuk kishte të bëjë asgjë me çlirim, por ishte e orientuar në zhdukjen e shqiptarëve për t’ua marrë tokat.

Kjo nuk ishte kauza që do ta mbështeste Durham, por besimi i saj në liberalizëm britanik dhe në pan sllavizëm e kishin sjellur deri në këtë pikë. Nga ky moment ajo e vërejti se kishte qenë në anë të gabuar dhe praktikisht e mori anën otomane dhe filloi t'i mbështeste shqiptarët pa asnjë rezervë. Ishte e qartë se kjo nuk ishte luftë, por shfrenim barbar për të masakruar tjetrin që kishte kulturë, gjuhë dhe religjion tjetër dhe ishte mbarësuar nga urrejtja e pakufishme. Njerëzit e medhenj e ndërrojnë mendimin kur e shohin realitetin.

Papritmas, artikujt e Durhamit në shtypin britanik ndryshuan në tërësi për nga karakteri. Shkrimet e saja u bënë aq anti sllave sa që sot gazetat britanike nuk do të botonin shkrime të tilla. Në gazetën "The Nation" ajo shkroi:
"Cari Ferdinand e ka treguar të vërtetën kur ka thënë se kjo luftë është e Kryqit kundër Hënës. Nga kryqi ortodoks rrjedhë gjak i kuq i viktimave. Viktimat nuk janë të gjithë myslimanë. Fanatizmi ortodoks nuk i ka kursyer as romano-katolikët".

Më në fund Durham u distancua tërësisht edhe nga liberalizmi gladstonian, i cili sipas saj, ndihmoi në prodhimin e dhunës në Ballkan. Për këtë ajo, në letrën që ia dërgoi mikut të saj Boyle, i cili ishte njëri nga udhëheqësit e Komitetit të Ballkanit, shkroi:
"çfarë mashtrimi. E tërë kjo gjë për 'çlirimin e të krishterëve nga zgjedha turke', të cilën në Angli e filloi Gladstone, ai fanatiku plak. Duke mos jetuar kurrë në këtë vend, ai nuk e dinte se për çka fliste".

Prandaj, Durham e mori anën e Austro-Hungarezëve që i kundërshtonte më parë. Filloi punën e pandalshme të saj për kauzën shqiptare dhe nuk u ndal deri në vdekje. Askush nuk i ka paraqitur më mirë se Durham tendencat e pan-sllavizmit dhe rezultatet gjenocidale të kësaj ideologjie. Kontributi i saj për shqiptarët mbeti i papërsëritshëm. Durham ka qenë grua gjigante dhe mbetet heroina më e madhe te shqiptarët.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco