Libri i ri “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës

Libri i ri “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës" nga Muhamedin Kullashi

12:34, 20/10/2021

Shkruan Muhamedin Kullashi

Ky libër merr në shqyrtim analizat, studimet dhe debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik: në revista shkencore, në konferenca shkencore, në medie, në qarqet shtetërore e politike, në Parlament dhe në Senat e njëherazi në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze. Periudha e studimit kap ngjarjet midis viteve 1991 - 2001.

 Hapësira publike kuptohet si hapësirë e formimit të opinionit dhe vullnetit politik e jo si skenë e paraqitjes së një publiku të spektatorëve pasivë. Theksin në shqyrtimet tona e kemi, në veçanti, te ndërveprimet midis niveleve të ndryshme të shoqërisë ku trajtohet çështja e Kosovës dhe konfrontimit publik të argumenteve që shpijnë te vendimet e rëndësishme politike të qeverisë dhe presidencës franceze. Një aspekt i rëndësishëm i këtyre kërkimeve ka të bëjë me ndërmjetësimin midis sferës ku merren vendime të rëndësishme politike dhe debateve politike në nivele të ndryshme me ndikimet reciproke midis tyre: fjala vjen në debatet lidhur me legjitimitetin e pjesëmarrjes së Francës në intervenimin e NATO-s kundër Serbisë.

Analiza e debateve në këto nivele e mjedise të hapësirës publike franceze ka parasysh mënyrën e shpjegimit dhe interpretimit të ngjarjeve që e kanë cilësuar « krizën » e Kosovës, nga fillimi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar: demonstratat e manifestimet politike të vitit 1981, format e ndryshme të represionit dhe diskriminimeve që regjimi jugosllav i praktikonte në Kosovë. Në anën tjetër, shtjellohet edhe evoluimi i interpretimeve të këtyre ngjarjeve sa nga qarqet zyrtare politike, aq edhe nga mediet dhe shoqatat e intelektualëve në qendra të ndryshme të ish-Jugosllavisë: sidomos në Beograd, Zagreb, Lubjanë e Sarajevë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco