Organizohet tryeza shkencore 'Kongresi Arsimor i Lushnjës dhe Gjuha Shqipe' (Jubileu i 100-vjetorit)

Organizohet tryeza shkencore 'Kongresi Arsimor i Lushnjës dhe Gjuha Shqipe' (Jubileu i 100-vjetorit)

21:05, 11/10/2021

Më 13 tetor në orën 10:00, Dega e Gjuhësisë e Institutit Albanologjik të Prishtinës, do të organizojë një Tryezë shkencore kushtuar 100- vjetorit të Kongresit Arsimor të Lushnjës.

Ç’është e vërteta, gushti i vitit 2020 shënonte 100- vjetorin e këtij Kongresi, por për shkak të rrethanave të krijuara nga Pandemia, u detyruam që këtë aktivitet shkencor ( i paraparë të mbahej në vitin që shkoi) ta mbajmë sivjet.

Arsyeja për organizmin e  kësaj tryeze shkencore kushtuar 100- vjetorit të Kongresit Arsimor të Lushnjës  është se ky Kongres paraqet njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme për sa u përket  çështjeve që u diskutuan dhe vendimeve që u morën aty për  arsimin dhe gjuhën shqipe. 

Siç dihet, Kongresi Arsimor i Lushnjës i filloi punimet më 15 gusht 1920, në orën 9 të para ditës. 

Ministria e Arsimit interesohej për një kuvend të gjerë mësuesish, mirëpo numri i kongresistëve qe i kufizuar. 

Arsyet ishin të kuptueshme, sepse pak kohë  më parë ishte shtypur rebelimi sadist në Shqipërinë e mesme. 

Pas diskutimesh të gjata në Kongres, unanimisht u vendos që shkollat fillore të qytetit të ishin me 5 klasa, ndërsa  ato në fshatra me 3 klasa, por më vonë kjo gjendje ndryshoi dhe shkollat ishin të njëjta si për qytetet ashtu edhe për fshtrat. Arsimi fillor u bë i detyrueshëm. U miratua  programi sintetik për shkollën fillore dhe programi analitik i përjavshëm. 

U miratuan 219 terma për gjuhën, aritmetikën e gjeometrinë, gjithashtu u hartuan modelet e orareve, dëshmive shkollore dhe i dokumentacionit tjetër shkollor. Po ashtu, u vendos që prej klasës së III fillore e tutje të mësohej edhe një gjuhë e dytë që do të caktohej nga Ministria e Arsimit. 

Edhe pse qeveria qëndronte keq për nga ana financiare, u vendos për botimin e teksteve shkollore si: libra të leximit, gramatika dhe libra të matematikës etj. 

Një interes të veçantë paraqet pika nëntë e vendimeve të kongresit, ku u vendos që libri i parë i këndimit ( pra, abetarja) të jetë i shkruar thjesht gegërisht, ose thjesht toskërisht, libri i dytë të jetë i përzier me copa leximi gegërisht dhe toskërisht, kurse tekstet për klasat e tjera të hartoheshin vetëm në gjuhën letrare, mbështetur mbi  të folmen e Elbasanit.  
Po ashtu, u vendos për nxjerrjen e një gazete pedagogjike ku do të botoheshin të dhënat e ndryshme nga sfera e arsimit. 

Organizimi i Kongresit Arsimor të Lushnjës dhe vendimet që u morën aty bënë jehonë të madhe në të gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë saj. Kështu, për këtë ngjarje me rëndësi për kombin, raportuan gazetat dhe revistat e ndryshme si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj, si: revista “Ylli i mëngjesit” e Parashqevi Qiriazi, që botohej në shqip, frëngjisht e anglisht. 

Për Kongresin dhe vendimet e tij  raportun edhe në gazeta e revista të tjera që merreshin me çështje pedagogjike të arsimit shqip, si: gazeta “Studenti”, që botohej në ShBA, gazeta “Djalëria”, që botohej nga studentët shqiptarë në Vjenë. 

Po ashtu raportuan edhe revistat e kohës si: “Zâni i ri”, “Shkolla e re”, “Kumtari arsimuer”, “Përlindja” etj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco