Jan Kukuzeli nga Durrësi, këngëtari dhe muzikanti më i madh i Kostandinopojës në shek.XI

Jan Kukuzeli nga Durrësi, këngëtari dhe muzikanti më i madh i Kostandinopojës në shek.XI

13:11, 01/10/2021

Jan Kukuzeli figurë e shquar e kulturës muzikore bizantine, me origjinë nga Durrësi. Lindi rreth viteve 1070-1075. U pranua në shkollën e pallatit perandorak në Kostandinopojë, ku u shqua si më i afti dhe u mbiquajt Kukuzeli.

Ishte drejtues i këngëtarëve antikë dhe maistor i kapelës perandorake, bëri emër si këngëtari dhe muzikanti më i madh i Kostandinopojës në shek.XI. Pasi ra në kontradiktë me perandorin e Bizantit, u vendos në malin Athos në manastirin Laura e Madhe, ku u morr me studime muzikore.

Jan Kukuzeli krijoi sistemin e shkrimit muzikor, i quajtur shkrimi kukuzelik. Notacioni muzikor i tij u përdor për afro disa shekuj në muzikën kishtare. Kukuzeli ishte edhe pedagog, poet e himnograf; shkroi disa vepra didaskalike të rëndësishme për historinë e muzikës.

Vatikani: Këngëtari ëngjëllor, Jan Kukuzeli

Duke vizituar manastirin e Ardenicës, nuk mund të mos ndalohemi para ikonës, që na njeh me një nga murgjërit e muzikantët më të shquar të shekullit XIII-XIV, Jan Kukuzelin: shenjtor, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine. E të mos kujtojmë jetën dhe veprën e tij mahnitëse! Të papërsëritshme. Edhe pse e dimë  sa vlerë ka muzika në Kishë, shkruan radio Vatikani.

 “Kush këndon, lutet dy herë” - na kujton Shën Agostini.  E Jan Kukuzeli ishte mjeshtër i madh i këngës. Ata, që patën fatin ta dëgjojnë duke kënduar në Bazilikën e famshme të Shën Sofisë, nuk do ta harronin kurrë emocionin deri në lot,  ngjallur nga kënga e tij, që ta lartonte shpirtin në qiell.

Të shumtë, ata që shkruan për të – historianë, filologë, muzikologë – nga Lindja e nga Perëndimi, të huaj e vendas. Për të u shkrua më shumë se për çdo kompozitor kishtar të kohës. Veprat e tij, në dorëshkrime, janë thesare të shek. XIV. Ndaj Kisha Ortodokse e nderon si shenjtor dhe e feston më 1 tetor. Portetin e tij e pamë, në emisionin e kaluar, ndërmjet ikonave të Ardenicës, po mund ta sodisim edhe në një mori miniaturash, afreskesh e dhe pikturash murale në Greqi, Bullgari, Serbi, Moskë, Munih etj. etj. E shumë kore kishtare në botë, mbajnë emrin e tij.

Madhështi e përvujtë

Madhështi e përvujtë - këto dy fjalë përmbledhin gjithë jetën e muzikantit të madh, që ishte edhe këngëtar i madh, aq sa meritoi epitetin “Angjelofon” - “Këngëtar ëngjëllor”.

Jani, lindi ndërmjet shek. XII-XIII në Durrës, qytet-port kozmopolit, aso kohe nën zotërimin bizantin. Jetim nga i ati, e ëma ia besoi mësuesve më të mirë të asaj kohe, sepse fëmija dallohej për zgjuarsi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për talent të madh muzikor.

Pikërisht ai zë e çoi në Kostandinopojë, në kryeqytetin e perandorisë, për të studiuar dhe për të kënduar në oborrin perandorak. Shpejt u emërua drejtues i veprimtarive muzikore të kryeqytetit, me titullin Mjeshtër! Për zërin e mahnitshëm nisën ta quajnë “zëri engjëllor”. Kur këndonte në kishën e Shën Sofisë, emrin e së cilës e kemi kujtuar aq shpesh këto ditë, mblidheshin të gjithë për ta dëgjuar dhe, të prekur nga ai zë, fillonin të qanin me ngashërim.

Larg oborrit mbretëror

Po artisti i madh nuk e donte aspak madhështinë. Në kërkim të jetës asketike, aq të dashur për të, iku fshehurazi nga Kostandinopoja e u strehua në Malin e Shenjtë, në Atosin e manastireve e të murgjërve, ku nuk shkel kurrë këmbë femre... E pikërisht në Manastrin e Lavrës. Në fillim, asnjeri nuk u kujtua kush ishte. E çuan të kullosë dhentë. E zëri i tij engjëllor nisi të kumbonte në gjirin e blertë të pyjeve, pranë gurrave, derisa më në fund u kujtuan kush fshihej nën zhgunin e vrazhdë të murgut bari!

Një  ditë, kur kulloste dhitë në një vend të shkretë, duke menduar se ishte vetëm, nisi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari. Një asket, që banonte aty pranë, e dëgjoi dhe i mahnitur nga bukuria e këngës,  e cila i kish magjepsur deri kafshët, që lanë kullotën, për të shijuar zërin engjëllor shkoi tek igumeni i Lavrës së Madhe. Ai e thirri bariun dhe e detyroi të tregonte të vërtetën. Jani iu lut ta mbante në manastir e të mos ta dorëzonte tek perandori, sepse donte më shumë jetën murgare, sesa jetën e oborrit.

Igumeni e pranoi dhe i besoi drejtimin e korit të kishës qendrore të manastirit. Për më tepër u nis për në Konstandinopojë për ta takuar perandorin, të cilit i kërkoi ta falte Këngëtarin e tij ëngjëllor, që kish lindur për t’i kënduar Krishtit, Shën Mërisë, shenjtorëve – jo perandorëve! Monarku e la të lirë, e ai vijoi të jetojë në qelinë e tij të murgut me muzikën e me këngën e tij, derisa shkoi t’i këndojë lumninë të Tejetlartit, në korin e engjëjve!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco