Hysaj i reagon komunës së Podujevës: Historia në rrezik

Hysaj i reagon komunës së Podujevës: Historia në rrezik

10:24, 23/09/2021

Ilaz Hysaj  ka reaguar ndaj komunës së Podujevës për rrënimin e një objekti sipas tij me rëndësi të madhe historike, shkruan Syri.net Kosova.

Përmes një statusi në Facebook, Hysaj ka thënë se sot në mjedis të kampanjës zgjedhore për komunën e Podujevës veç  paskan filluar t’i hjekin tjegullat për ta rrënuar dëshminë më të mirë të një historie që ruan brenda mureve dhe gurëve ky objekt.

Sipas tij, kështu u rrënuan dhe humbën shumë dëshmi nëpër trojet shqiptare, gjatë gjthë historisë.

Hysaj tutje shkruan, nëse Podujeva dhe Kosova ka intelektualë, historian, ata duhet të ngrejnë zërin dhe të pengojnë rrënimin e këtij objekti i cili do të ishte ideal për një muze historik të Podujevës, ku gjeneratat e sotme dhe brezat e ardhshëm do të mësojnë, mos të harrojnë,  që të mos rijetojnë atë që përjetuam ne dhe brezat para nesh.

Postimi i plotë:

HISTORIA NË RREZIK, SHQIPTARI PO FLEN

« Një popull që harron të kaluarën e vet është i destinuar ta rijetojë atë »

Ëinston Churchil

-NJË OBJEKT ME RËNDËSI TË MADHE HISTORIKE RREZIKON TË RRËNOHET NË PODUJEVË NË MIDIS TË KAMPANJËS ZGJEDHORE

Arsyetimi « legjitim » a la shqiptarqe është ky : « në atë objekt  baballarë , babgjyshë e plot llapjanë janë rrahë e torturue e ka pasë edhe aso që kanë dekë nga torturat aty » (citat)

Objekti në fjalë gjatë luftës së parë botërore paska qenë stacion i xhandarmërisë ; Në mes të dy luftërave paska shërbye si komunë, stacion i xhandarmërisë dhe burg. Gjatë viteve 60ta, 70ta, 80ta dhe 90ta paska shërbye si objekt banimi, kurse pas lufte ka ngelë i braktisur.

Sot në mjedis të kampanjës zgjedhore për komunën e Podujevës veç  paskan filluar t’i hjekin tjegullat për ta rrënuar dëshminë më të mirë të një historie që ruan brenda mureve dhe gurëve ky objekt.

Kështu u rrënuan dhe humbën shumë dëshmi nëpër trojet shqiptare, gjatë gjthë historisë, kurse pas luftes së fundit kjo dukuri mori përmasa marramendëse  nën patronatin e mafias ndërtuese  dhe politikave që ishin kryekëput nën shërbimin dhe diktatin e tyre.

Asnjë popull më shumë se shqiptarët nuk e ka përjetuar dhe rijetuar atë që dikur e kishin jetuar dhe përjetuar stërgjyshërit dhe katragjyshët e tyre. Duke i harruar me kast katahurat e shumta gjatë historisë dhe duke i shkatërruar stigmat fizike të atyre katahurave, shqiptarët menduan se do ta kenë më lehtë të jetojnë duke mos i pa ato, sepse « ato »  mund t’ua  kujtojnë të keqen e përjetuar dhe do t’ua bëjnë jetën më të rëndë.

Kështu ne mbijetuam, përjetuam dhe rijetuam, por nuk jetuam ; nuk ecëm vërtikalisht, por zhagaz si zvaranik…

« Qoftë e shkuar dhe e harruar » është një shprehje e jona që edhe sot e përdorim kur na ndodhë një gjamë e randë, një humbje e madhe, një fatkeqësi…

Shpejtësia me të cilën u zhduken të gjitha stigmat e luftës, vendet e krimeve si stacionet e policisë, burgjet famëkeqe etj, në fakt janë zhdukje me dëshirë ose pa dije e fakteve fizike me të cilat dëshmohet krimi.

A thua Polonia, Çekia, Jevrejtë dhe popuj tjerë të civilizuar  nuk çenkan patriotë e as mirë me krye që i ruejnë me fanatizëm objektet dhe dëshmitë e  holokaustit dhe krimeve tjera gjatë historisë ?!...

Asnjë vend në botë, për kokë banori, nuk ka më shumë përmendore luftëtarësh e në anën tjetër nuk ka asnjë muze lufte dhe asnjë muze të krimeve.

Sot është në rrezik iminent zhdukja e një objekti nga të paktët që kan mbetur me vlerë historike, kurse arsyetimi i institucioneve lokale se ky objekt nuk ka asnjë vlerë kulturore për t'u rauajtur është skandaloz dhe hipokrit, kur dihet se sa të pamëshirshëm ishin politikat e pasluftës me objektet kulturore dhe me vet kulturën.

Nëse Podujeva dhe Kosova ka intelektualë, historian, ata duhet të ngrejnë zërin dhe të pengojnë rrënimin e këtij objekti i cili do të ishte ideal për një muze historik të Podujevës, ku gjeneratat e sotme dhe brezat e ardhshëm do të mësojnë, mos të harrojnë,  që të mos rijetojnë atë që përjetuam ne dhe brezat para nesh.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco