Filozofi që nuk e harroi kurrë gjuhën e nanës

Filozofi që nuk e harroi kurrë gjuhën e nanës

12:43, 19/09/2021

Filozofi, Blerim Latifi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar  për filozofun Riza Tefik Bylykbashi, i cili sipas tij nuk e harroi asnjëherë gjuhën e nënës, transmeton Syri.net Kosova.

Latifi shkruan se kur Kongresi i Manastirit kishte vendosur që për shkrimin e gjuhës shqipe të përdorej vetëm alfabeti latin, në Stamboll kishte shpërthyer një reaksion i madh kundër këtij vendimi, derisa Qeveria e xhonturqve kishte filluar një fushatë agresive për ta kundërshtuar alfabetin latin dhe imponimin e alfabetit arab për shqipen e shkruar.

“Në ato ditë, një intelektual që gëzonte një reputacion të madh në qarqet politike dhe kulturore të kryeqytetit osman, do të ngrihej fuqishëm në mbrojtje të vendimeve të Kongresit të Manastirit. Ai quhej Riza Tefik Bylykbashi”, shkruan Latifi.

Postimi i plotë:

Filozofi që nuk e harroi kurrë gjuhën e nanës

Kur Kongresi i Manastirit kishte vendosur që për shkrimin e gjuhës shqipe të përdorej vetëm alfabeti latin, në Stamboll kishte shpërthyer një reaksion i madh kundër këtij vendimi. Qeveria e xhonturqve kishte filluar një fushatë agresive për ta kundërshtuar alfabetin latin dhe imponimin e alfabetit arab për shqipen e shkruar. Fatkeqësisht kësaj fushate i ishin bashkuar edhe shumë shqiptarë. 14 deputetë shqiptarë në parlamentin osman kishin nënshkruar një peticion kundër alfabetit latin dhe pro atij arab. Për më tepër qeveria osmane kishte mobilizuar rrjetin e ulemave në katër vilajetet shqiptare për të njëjtin qëllim. Në ato ditë, një intelektual që gëzonte një reputacion të madh në qarqet politike dhe kulturore të kryeqytetit osman, do të ngrihej fuqishëm në mbrojtje të vendimeve të Kongresit të Manastirit. Ai quhej Riza Tefik Bylykbashi.

I lindur në një familje shqiptare në Bullgari, ai do të fillonte shkollimin në një shkollë hebraike dhe pastaj pasioni i madh për diturinë do ta shpinte në shkolla të tjera europiane ku ai mori gradime në mjekësi dhe filozofi. Në Stamboll ai njihej me emrin filozofi, për shkakun se dominonte në diskutimet për çështje filozofike. Ai fliste e shkruante në shumë gjuhë, por kurrë nuk e harroi origjinën e tij etnike dhe gjuhën shqipe. I mbështetur në literaturën më shkencore të kohës, ai do të ngrihej publikisht kundër politikës osmane që donte të impononte alfabetin arab për shkrimin e shqipes. Shqipja, argumentonte ai, i përket familjes së gjuhëve indo-europiane dhe ajo nuk ka asnjë lidhje me arabishten, prandaj imponimi i alfabetit arab për të është i destinuar të dështojë, ndërsa alfabeti latin në të gjitha pikëpamjet linguistike i përshtatet natyrshëm shqipes.Shqipja ose shkruhet me germa latine, ose nuk shkruhet fare.

Rizah Tefik Bylykbashi u kritikua ashpër për këtë qëndrim, por ai nuk u tërhoq. Madje ai u thoshte kritikëve të tij se nuk është e largët dita kur edhe vetë turqit do të detyrohen ta adoptojnë alfabetin latin për gjuhën e tyre dhe ky parashikim vërtet do të përmbushej shumë shpejtë nga qeveria e Kemal Ataturkut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco