Merre vaksinën dhe shko në 'PriFest', iu presin shumë filma në 4 kinema në Prishtinë

Merre vaksinën dhe shko në 'PriFest', iu presin shumë filma në 4 kinema në Prishtinë

16:47, 22/08/2021

Rritja e numrit të rasteve pozitive me Covid-19, sivjet nuk do të pengojë mbajtjen me prezencë fizike të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë. 

Ndryshe nga viti i kaluar që për shkak të pandemisë PriFest u mbajt vetëm online, këtë vit organizmi bëhet në tapetin e kuq, por nën masat e reja të qeverisë, ku mysafirët do të duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar, apo që kanë rezultuar negativ në testin për Covid-19. 
Festivali sjell 52 filma që do të shfaqen në katër kinema në kryeqytet. Biletat janë në shitje në Teatrin Kombëtar, ndërsa studentët dhe pensionistët do të mund t’i përcjellin filmat falas.

Nga dita e martë, më 24 gusht kur edhe mbahet ceremonia e hapjes së PriFest, deri të dielën, do të shfaqën filma në Teatrin Kombëtar, Kino Armata, në kinema të hapur në Muzeun e Kosovës dhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në PriFest sivjet do të shfaqën filmat të cilët ngritën kinematografinë kosovare në majat e prezantimit në festivalet ndërkombëtare.

Fillon me filmin “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli, film ky që fitoi tri çmimet kryesore në edicionin të “Sudance Film Festival”, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa mbyllet me filmin e Norika Sefës, “Në kërkim të Venerës” i cili ka fituar çmimin special të jurisë në festivalin e filmin në Roterdam të Holandës.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun dhe mediat në PriFest, Minka Berisha tregon për KosovaPress detajet për edicionin e sivjetmë të PriFest.

“PriFest fillon më 24 gusht, duke u hap me ceremoninë hapëse dhe filmin Zgjoi, film ky i cili do të shfaqet në të njëjtën kohë në dy kinema, në Kino Armata dhe teatrin kombëtar, pastaj do të zgjasë gjashtë ditë, ditën e diele është ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe para ditës së diel, ditën e shtunë ky kapitull i filmave do të mbyllet me filmin ‘Looking for Venera’, film ky gjithashtu u suksesshëm i prodhuar nga artistët tanë”, thotë ajo.

Vala gruas kosovare është fokusi kryesor i edicionit të sivjetmë të PriFest, që për qëllim ka vetëdijesimin e shoqërisë për punën dhe sukseset nga gratë kosovare, çka edhe dëshmohet me pjesëmarrjen e filmave të realizuara nga gratë.

Janë 52 filma që do të shfaqën, të ndarë në tetë kategori, por jo të gjithë janë garues.

“Është edhe Priforum-i, këtë vit ka në working progres pesë projekte, projekte për të cilat po presim me pas pothuajse të njëjtën eufori si filmat që kanë pasur sukses vitin që lamë pas… Artisë të huaj, por kemi gjithashtu edhe juri të huaj që do të vlerësojnë kategoritë garuese, këtë vit kemi përzgjedhë 52 filma të jenë por jo të gjithë do të jenë garues, të ndara në tetë kategori”, thotë ajo.

Biletat janë në shitje që prej datës 20 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Filmat në dy kinematë e hapura do të mund të përcjellën pa bileta, por për studentët dhe personat e moshuar, do të jetë falas në të gjitha kinematë, veçse duhet të pajisjen me biletë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Por, në PriFest sivjet mund të shkojnë personat që kanë dëshmi se janë vaksinuar kundër Covid-19, apo të kenë testin negativ. Kjo meqë Qeveria e Kosovës ditë më parë ka vendosur masat e reja me qëllim të mospërhapjes së virusit.

“Ka me pas disa kontrolle më strikte, që duhet me qenë ose të vaksinuar me dozën e parë, ose duhet me pas testin PCR negative ose antitrupa, përndryshe nuk munden me hy as në ‘afterparty as me pa filma… Ka shumë të interesuar, Pri Film Fest është festival i të gjithëve, jo vetëm i artdashësve dhe industrisë së filmit, është i të gjithëve por një kërkesë e veçantë shkon se duhet me qenë të vaksinuar ose me masat që vendimi i qeverisë të respektohet, duhet me maska ose me pas dëshmi që janë negativ ose të vaksinuar”, thotë ajo.

PriFest sivjet shënon edicionin e 13 me radhë, festivali që bënë bashkë në Prishtinë artistët kosovarë dhe atë ndërkombëtarë.

Hapja më 24 dhe mbyllja më 29 gusht që përfundon me ndarjen e çmimeve, do të bëhen në tapetin e kuq para Teatrit Kombëtar të Kosovës prej orës 20:00.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco