‘Ana në Tropik’, një premierë e sukseshme në Teatrin e Gjakovës

‘Ana në Tropik’, një premierë e sukseshme në Teatrin e Gjakovës

13:13, 30/07/2021

Publiku në Gjakovë ka duartrokitur të enjten mbrëma shfaqjen premierë “Ana në Tropik”, me regji të Elmaze Nurës.

Drama ka marë vlerësime pozitive për nivelin e lartë artistik, konceptin e veçantë regjisorial, harmoninë e aktorëve në skenë, skenografinë dhe kostumet, e elementet e tjera të shfaqjes.

Sonte jepet repriza e shfaqjes prej orës 19.30, shkruan Syri.net Kosova.

“Ana në Tropik”, është një dramë e njohur nga Nilo Cruz, që ka fituar çmimin Pulitzer.

Regjisori Ekrem Xani u shpreh se kjo ishte një shfaqje e veçantë. “Dukej si film gjithçka. Është ndër shfaqjet më të mira të regjisores Elmaze Nura. Drama u interpretua shumë mirë nga ekipi i aktorëve që përcollën emocione te publiku”, u shpreh ai për Syri.net Kosova.

Drejtori i Teatrit të Gjakovës, Edi Kastrati, vlerësoi lart punën e regjisores së shfaqjes dhe ekipit realizues. “Ka dalë një shfaqje shumë e mirë, pas një pune dhe angazhimi të regjisores Elmaze Nura, aktorëve, skenografit, kostumografit dhe stafit tjetër”, ka thënë për Syri.net Kosova, Kastrati.

Regjisorja e shfaqjes u shpreh e kënaqur me finalizimin me sukses të këtij projekti të radhës. “Ka qenë një përvojë e veçantë në Teatrin e Gjakovës, me një ekip profesional e të përkushtuar. I kemi dhënë këtij Teatri një shfaqje mjaft cilësore”, ka theksuar Elmaze Nura.

Drama zhvillohet në sfondin e një fabrike puroje në Florida gjatë Periudhës së Prohibicionit.

Në atë kohë, u rritën tensionet midis traditave të vjetra dhe mënyrave të reja edhe në Ybor City ku kërcënimi i makinave të reja mekanike të rrotullimit të purove shfaqet mbi punëtorët e fabrikës, të cilët rrotullojnë puro me dorë, në mënyrën tradicionale.

Në rrezik është edhe tradita e lektorit, i cili lexon romane e novela me zë të lartë për të kaluar kohën.

Një paralele është tërhequr nga autori me ‘Ana Kareninën” e Tolstoit, gjatë situatave e konflikteve dramatike që nxjerrin në pah personazhet interesante.

Shfaqja është dinamike, ka plot ngjyra dhe emocione të forta.

Luajnë : Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Yllka Lota, Vlora Dervishi

Vlera Pylla, Edi Gjakova, Besfort Berberi, Altina Kusari

Skenografia është realizuar nga Petrit Bakalli, kostumografia nga Alma Krasniqi dhe muzika nga Adhurim Grezda.

Kjo është shfaqja e dytë e regjisores Elmaze Nura gjatë këtij viti. Më herët ajo realizoi komedinë “Gratë në Parlament” në Teatrin e Ferizajit “Adriana Avdyllahu”. /syri.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco