Faik Konica si mikpritës, përgatitës pijesh dhe gatues

Faik Konica si mikpritës, përgatitës pijesh dhe gatues

10:43, 09/06/2021

Shkruan Enver Robell:

Faik Konica si mikpritës, përgatitës pijesh dhe gatues

Një ndër kapitujt më fascinuese të librit “Faik Konica. Jeta në Washington” të publicistit të shquar Ilir Ikonomi është përshkrimi i këtij intelektuali dhe personaliteti të madh shqiptar si mikpritës. Si ministër (ambasador) i Shqipërisë në Washington, Konica mbante një koleksion të madh të verërave. Gazetarët e Washingtonit, sipas Ikonomit, “e dinin madje se cilat verëra kishte ai më për zemër: chablis, burgundy, sherry dhe shampanjë, të cilat i shoqëronte me djathin e tij të preferuar roquefort ose me kaviar”. Në Washington Konica kishte shpikur edhe një koktej që njihej si “Kokteji Konica”. Kjo shpikje e Konicës kishte për bazë martinin dhe vermutin italian, të cilëve ai u shtonte një grusht bajamesh të shtypura e të përziera qysh më parë me konjak dhe me pak pije të hidhur. Konica njihej edhe si gatues. “Konica e përgatit një gjellë ashtu sikurse një poet i madh i jep formë poezisë”, shënonin gazetat e Washingtonit. Ambasadori shqiptar në Washington thoshte se gjella që i pëlqente më së shumti ishte mëlçi pule me oriz të egër. Gazeta “Washington Post” botoi recetën e Konicës: përgatisim gjashtë mëlçi pule me kripë, piper të zi dhe të kuq. I kavërdisim me një lugë gjalpë duke u shtuar majdanoz të grirë imët. Ziejmë gjysmë filxhani oriz të egër për dhjetë minuta dhe e kullojmë. Përziejmë orizin me mëlçitë duke shtuar një lugë të vogël sherry. Përzierjen e mbështjellim me një napë, të cilën e lidhim dhe e lëmë në ujë të vluar për 30 minuta.

Përgatitja e kafesë nga Faik Konica ishte një ceremoni. Ai i piqte vetë kokrrat e kafesë, pastaj i bluante me mulli përpara syve të habitur të mysafirit, sepse sipas tij, dyqanet e ushqimeve nuk dinin ta bënin. Pastaj e ziente dhe e servirte kafenë e freskët nga xhezvja prej bakri, shkruan Ikonomi.

PS. Ndoshta ndonjë kuzhinier kreativ në Prishtinë e lexon këtë tekst dhe e përgatit gjellën e preferuar të Faik Konicës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco