Një fortifikatë mesjetare pararojë e pasurive minerale të Trepçës!

Një fortifikatë mesjetare pararojë e pasurive minerale të Trepçës!

16:49, 30/05/2021

Shkruan Jahja Drancolli:

Pranë Trepçës, në pjesën jugore të zonës së fshatit të sotëm Rashan, ruhen rrënojat e një kështjelle të quajtur “Gjytet” ose “Qytet”. Qyteti i Rashanit është një fortifikim i periudhës së hershme bizantine, i ndërtuar gjatë shekujve IV-VI, rreth 5 km larg nga Mitrovica. Në dokumente si fortifikatë e Trepçës, e cila përmendet për herë të parë në vitin 1303. Ka një pozitë të favorshme gjeografike dhe, me një lartësi prej 851 m, ishte pararojë e burimeve minerale të Trepçës, si dhe kontrollonte rrugën kryesore, e cila shkonte nga Municipium DD për në Zveçan, Trepçë dhe Llap, si dhe rrugën tjetër Trepça-Vicianum-Novobërdë.

Rrënojat e fortifikatës së quajtur nga vendorët “Gjyteti” ndodhen në një kodër të pjerrët, nga ku pamja përreth ka qenë gjithëpërfshirëse. Nga kalaja mund të shihni pothuajse të gjithë Rrafshin e Kosovës. Në shek. XIX arkeologu britanik Arthur Evans përmend Municipium DD, si dhe një kështjellë me emrin e tregtarëve raguzanë, “Montagna dell Argento” (“Monte Argentaro”), ndërsa e ashtuquajtura “Tabula Peutingeriana”  përmend me emër “Argentaria”. Bazuar në materialin e ndërtimit, kalaja i përket arkitekturës mesjetare, megjithëse objektet e luajtshme arkeologjike flasin për një vendbanim shumë-shtresor.

Trashësia e murit rrethues të fortifikatës është rreth 2 m; ndërsa lartësia e mureve të ruajtura deri më sot është 2-3 m. Fortifikata është e vendosur në majë të një shkëmbi, lartësia e të cilit nga toka lëkundet nga 80-100 m. Anët veriore dhe lindore të fortifikatës kishin mbrojtje natyrore, ndërsa anët perëndimore dhe jugore mbrohen me mure. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen këtu është ekzistenca e një strukture drejtkëndëshe që supozohet të jetë një cisternë. Cisternat, si strukturë kanë depozituar sasi të mëdha uji, të cilat kanë furnizuar këtë vendbanim të madh dhe të rëndësishëm, i cili ndodhet larg rrjedhave ujore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco