Si ra viktimë e nazizmit, njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të botës?

Si ra viktimë e nazizmit, njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të botës?

11:23, 26/05/2021

Profesori Blerim Latifi ka publikuar disa të dhëna për filozofin e madh gjerman, Martin Hajdegeri, në përvjetorin e vdekjes së tij, duke potencuar faktin se si ky mendimtar i shquar u tregua edhe naiv e sipërfaqësor.

Statusi i plotë i Latifit:

Nga kalendari filozofik

Me 26 maj të vitit 1976 ka vdekur Martin Hajdegeri, njëri prej mendimtarëve më të mëdhenj në gjithë historinë e mendimit njerëzor. Ai është autori i veprës "Qenia dhe Koha", e cila sëbashku me veprën e Vitgenshtajnit "Traktati logjiko- filozofik" dhe veprën e Llukaçit "Historia dhe vetëdija klasore", ka përcaktuar të gjitha debatet dhe rrymat e filozofisë së shekullit XX. Ndonëse në filozofi Hajdegeri ishte një mendimtar i kalibrit të Platonit, Aristotelit e Hegelit, në politikë ai u tregua naiv e sipërfaqësor, me vetë faktin se ra viktimë e propagandës naziste dhe për një kohë u shndërrua në funksionar të regjimit hitlerian, duke pranuar detyrën e Rektorit të Universitetit të Freiburgut, detyrë nga e cila ai dha dorëheqje pas një viti. Edhe sot ende vazhdon debati nëse ekziston ose jo një lidhje logjike midis filozofisë së Hajdegerit dhe sjelljes së tij politike në vitet 1933-1934.Unë personalisht nuk mendoj se ekziston kjo lidhje. Shembulli i Hajdegerit na tregon se edhe mendimtarët e mëdhenj mund të bijnë pre e strategjive manipuluese të populizmit ekstrem. E rëndësishme është se filozofia na mëson se duhet t'i përdorim armët e saj të kritikës jo vetëm ndaj atyre që shkelin ligjet e logjikës e të vërtetës, por edhe ndaj vetë yjeve që kanë shkelqyer në përdorimin e këtyre armëve. Filozofia është sovraniteti i kritikës, të cilit duhet t'i nënshtrohen të gjitha të vërtetat, të shenjta ose të pashenjta qofshin ato. Sepse filozofia nuk është e vërteta e autoritetit, por autoriteti i të vërtetës. Filozofia është çlirim përmes të vërtetës, siç thotë vetë Hajdegeri në interpretmin e tij të Platonit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco