Anton Çetta vjen në bronz, ja lokacioni ku do të vendoset në kryeqytet

Anton Çetta vjen në bronz, ja lokacioni ku do të vendoset në kryeqytet

18:39, 10/11/2020

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë vendim sot që shtatorja e profesor Anton Çettës të vendoset në oborrin e Fakultetit Filologjik, lokacion për të cilin është pajtuar edhe familja e tij.

Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, njëherësh asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, tha se është lajm i mirë që në 100-vjetorin e lindjes së Anton Çettës po merret ky vendim.

“Me këtë shtatore do t’i bëjmë nderë figurës së shquar të një njeriu të madh, i bëjmë nderë familjes së tij, por edhe vetes si bartës dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të Kosovës siç është edhe Komuna e Prishtinës që nuk po e lëmë në harresë të kaluarën tonë, por i japim vendimin e merituar për kontributin e jashtëzakonshëm…Lokacioni do të jetë te Fakulteti Filologjik”, tha ajo.

Disa nga asamblistët kanë kërkuar që vendosja e shtatores së profesorit Anton Çetta të bëhet tek Instituti Albanologjik, mirëpo nga Komuna e Prishtinës u tha se lokacioni është vendosur në koordinim edhe me familjen e profesorit Çetta, e që tha se e kanë përkrahur që shtatorja të vendoset te Fakulteti Filologjik.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës Muhedin Nushi, përveç për lokacionin, asamblistëve u ka dhënë përgjigje edhe sa i përket çështjes se te Fakulteti Filologjik është edhe shtatorja e Fehmi Aganit.

“Ky lokacion është dëshirë edhe e komitetit organizativ për vendosjen e shtatores, por edhe e vajzës, respektivisht familjes së të ndjerit Anton Çettës. Prandaj, rreth lokacioneve mendoj që duhet të respektohet vendimi ose dëshira e familjes. Sa i përket vendit se është edhe profesor Fehmi Agani afër aty, nuk e shoh aspak problem vendosjen e shtatores në atë pjesë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota, asamblistëve u ka dhënë përgjigje rreth dilemave që kanë pasur për kohën kur mund të kryhen punimet e parkingut nëntokësor.

Ai tha se lokacioni është reprezentativ dhe ka dinjitet edhe për figurën e profesorit Anton Çetta.

“Mendoj se është një lokacion reprezentativ dhe me dinjitet për figurën e profesorit të nderuar. Projekti i parkingut nëntokësor ka filluar si procedurë para tri vjetësh dhe tash jemi në fazën e realizimit. Ka dy muaj që kompania ka filluar realizimin e punëve, 24 muaj prej momentit të përmbushjes së parakushteve. 18 muaj prej momentit kur kanë filluar punimet e deri më tash, parkingu është dashur të përfundojë sipas kontratës. Me rëndësi është pjesa e parkut mbi parkingun, i cili do të jetë një hapësirë publike për qytetarët”, tha ai.

Ai tha se vendi ku do të ngritet shtatorja e Anton Çettës është pronë e Komunës së Prishtinës dhe nuk ka asnjë problem pronësor.

Anton Çetta mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punën e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.

Por veprimtaria e tij më e madhe, është në lëvizjen e pajtimit të gjaqeve në fillim të viteve të 90-ta dhe arriti për një kohë të shkurtër të shuante pjesën më të madhe të hasmërive mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare. Kjo lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë, u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco