Lili Cingu, një jetë në skenë. Sekretet e një ylli

Lili Cingu, një jetë në skenë. Sekretet e një ylli

21:55, 26/10/2020

Nga Blerina Ruka/ Toronto-Kanada

Është ndër të paktat femra e cila mban shumë epitete vlerësuese për talentin dhe elegancën e saj. Lili Cingu prej 45 vitesh në skenë është etiketuar nga kritika e artit si ‘Perëndesha e valleve shqipe’.

Cingu është nderuar me titullin e lartë ‘Mjeshtre e Madhe e Punës’, por karriera e saj numëron dhjetra çmime, urdhra e medalje të ndryshme si, çmimi i ‘Republikës’, Urdhri ‘Naim Frasheri’ , ‘Disku i Artë’, ‘Artiste e Merituar’, Medalje ne Dizhon të Francës, Medalje në Itali, Turqi, etj., vlerësime këto të bëra nga personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe botërore.

Sot, Cingu vazhdon të ketë të njëjtin pasion për skenën dhe me mjaft dinamizëm e ushtron profesionin në shumë evente kombëtare e ndërkombëtare.

Për Albanian Montreal Press, Lili rrëfen fillimet e saj në këtë disiplinë, sukseset ndër vite, vlerësimet, eksperiencat më të bukura si dhe kujtimin me kolegun e saj të ndjerë, Rexhep Çeliku, me të cilin u dekoruan ‘Nderi i Kombit’ vetëm dy vite më parë nga Presidenti i Shqipërisë.

Na tregoni pak për njohjen tuaj me profesionin, kur ka nisur dëshira për vallen shqipe?
Që në fëmijërinë time, kam qenë mjaft e tërhequr pas të bukurës, çdo gjë i përkiste skenës dhe artit dukej sikur më thërriste. Ishte ëndrra ime të prekja skenat dhe kjo erdhi si rezultat i një punë të vazhdueshme me mjaft vullnet e talent njëkohësisht. Fillimet e mia i mbaj mend në Pallatin e Pionerëve në Tiranë, pastaj ndoqa një shkollë 4-vjeçare pranë Ansamblit, dhe vetëm në vitin 1967 u pranova si profesioniste në grupin e valleve të Ansamblit të Shtetit. Duke qenë mjaft e afeksionuar me kërcimin, gjë që e tregoja në për të gjitha mbrëmjet dhe festat familjare, arrita të përmbush edhe dëshirën e prindërve të mi për tu bërë një valltare nga amatore në profesioniste.

A keni ndonjë talent tjetër të fshehur të cilën pak veta e dinë?
Kur je fëmijë, ke një dëshirë të madhe për të treguar energji në çdo veprim, ndaj edhe isha pak e lirë të shprehja dëshirat e mia. Mbaj mend që kam patur një dobësi për sportin, ndoshta edhe fiziku im e favorizonte por ka qenë një pasion. Në atë periudhë kur unë jam rritur, sigurisht që ka qenë pak e vështirë të ishe e kuruar në veshje ndaj edhe isha e gatshme t’i përgatisja vetë veshjet e mia, dhe nuk isha e përtuar fare të ulesha në makinat e qepjes për të rregulluar veshjet e mia. Mendoj që kam patur talent por edhe durim.

Ju keni disa kohë që ndani jetën mes Kanadasë dhe Shqipërisë, si është të transmetosh foklorin në Diasporë? A mund të ndani me ne një moment kulminant nga aktivitetet në Kanada?
Prej kohësh jam pjesë e komunitetit shqiptar të vendosur në Toronto. Sigurisht që aktivitetet kanë qenë të shumta. Dua të kujtoj këtu një moment mjaft të veçantë i cili sigurisht që ka lënë mbresa tek unë Kur Parlamenti i Ontarios aprovoi muajin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në Toronto, u njoha me mjaft deputetë me origjinë të ndryshme të cilin flisnin për vendin tonë, ata njihnin Nënën Terezën e Skënderbeun. Vlerësim i madh ishte edhe nga organizatorët e shoqatës tonë në Toronto si dhe ish- deputetja e emigracionit Laura Albanese. Për t’u përmendur ka qenë edhe aktiviteti i mbajtur në stadiumin e Lojrave me Dorë në Toronto, me një pjesëmarrje rreth 25 000 spektatorë. Ndihesha mjaft krenare në interpretimin tim bashkë me grupin e valleve ‘Shqiponjat e vogla’.

Ju jeni vlerësuar disa herë më çmime, cili sipas jush ka bërë më shumë bujë?
Sigutrisht që karriera ime e gjatë artistike, më ka sjellë në skenë mjaft herë, edhe për të interpretuar edhe kur jam vlerësuar. Si e tillë, jam vlerësuar më mjaft çmime si në Shqipëri e kudo ku kam qenë për të promovuar artin tonë të bukur, por çmimi më i madh është kur vlerësohesh me respekt me duartrokitjet e spektatorit. ‘Nderi i Kombit’, ka qenë tiulli që presidenti i vendit më ka akorduar dhe për këtë sigurisht që ndihem krenare.

U bë një vit që kolegu juaj, ‘Nderi i Kombit’ Rexhep Çeliku është ndarë nga jeta. Çfarë ju mungon më shumë nga jeta artistike e gjatë që keni ndarë me të?
Nëse flas për të, është një paralele e pashmangshme e jetës simë ne skenë. Ai ka qenë gjithmonë aty, ka qenë krahu i djathtë, ishte kolegu, miku, vëllai, partneri i skenës. Ishte fat i madh gjithë rrugëtimi artistik me të. Unë ende besoj se ai është diku në skenë duke kërcyer vallen e shqipe. Kujtimet janë të shumta. Prezenca e tij e lehtësonte çdo projekt, çdo shoqëri Xhepi i jepte nota familjare. Ai mbetet një legjendë e valles shqiptare..

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco