Afera e inceneratorëve/ Ylli Rakipi: Një koleg më kërkoi të mos e transmetoja emisionin

Afera e inceneratorëve/ Ylli Rakipi: Një koleg më kërkoi të mos e transmetoja emisionin

21:17, 20/10/2020

Gazetari Ylli Rakipi ishte i ftuari i Adi Krastës në programin e tij në SYRI TV, ku komentoi çështjen e aferës së inceneratorëve. Ai foli për një puntatë të emisionit ‘Të Paekspozuarit’, ku është folur për këtë çështje.

“Kemi realizuar një program për inceneratorët më 30 nëntor të vitit 2017. Është programi ‘Në mbretërinë e pasur të plehrave’.

Plehrat emrat kanë të tillë, pasi mbajnë një kategori të madhe njerëzish nga të dy ekstremet. Ekstremi i parë janë ata që i shohim te koshat e plehrave, me kokën e ngulur nëpër kazana, që sigurojnë përditshmërinë e tyre. Pastaj vijnë të pasurit e mëdhenj që jetojnë me plehrat, vjen mafia. Me mafian mplekset në lojë edhe segmente të shtetit.

Kjo është aferë korruptive dhe problem i madh ambiental,” tha Rakipi.

Ai komentoi edhe pamjet e paraqitura në atë emision të inceneratorit të Elbasanit.

“Tani atje në Elbasan është vendosur një teneqe, e ka marrë një emër. E bukura është se asnjë nuk kishte përgjigje se nga vjen kjo pajisje. Më kishte rastisur që të shihja në Danimarkë një fabrikë të jashtëzakonshme plehrash. Janë pajisje të jashtëzakonshme. Por kur merret një teneqe e vihet diku, atëherë ky është problem tjetër. Në këtë program paraqitëm qartësisht se çfarë ishte kjo aferë, e cila i bënte më shumë keq ambientit,” tha Rakipi.

Ai deklaroi se një koleg i tij, një njeri i njohur i medias, i kishte kërkuar që të mos e transmetonte emisionin.

“Ne e përgatitëm këtë emision dhe më erdhi një njeri i njohur i medias, një koleg dhe me kërkoi takim. Befas ai më kërkoi që të mos publikoja këtë emision në televizion. Ua thashë kolegëve të mi, Fatos Lubonjës dhe Andi Bushatit këtë dhe fillimisht nuk më besuan. Më pas më besuan,” tha Rakipi.

I pyetur nëse kolegu i tij ia kishte kërkuar diçka të tillë për shkak të miqësisë, apo si shkëmbim për ndonjë favor, Rakipi tha: “Të gjitha bashkë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco