Rrethoja kundër vdekjes

Rrethoja kundër vdekjes

14:45, 20/10/2020 Nga Daut Dauti

Denzel Washington është njeri tejet inteligjent dhe posedon pikëpamje të drejta politike. Pa asnjë dyshim ai është në mesin e ngushtë të aktorëve më të mirë që ka pasur bota deri sot. Në filmin ‘Fences’ (Rrethojat), në të cilin Washington luan rolin kryesor, dëshmohet fakti se ai është edhe regjisor i këtillë. 

Ngjarja e këtij filmi nuk është epike por është rrëfyer në mënyrë epike, siç thot njëri nga kritikët. Ngjarja ka të bëjë me jetën e një familjeje të racës së zezë në qytetin Pitsburg të vitit 1957. Me përjashtim të tri skenave të shkurtëra, e tërë ngjarja ndodhë në shtëpi dhe në oborrin para dhe pas shtëpisë. Të rrëfehet një ngjarje në mënyrë epike në këtë hapësirë të kufizuar është punë shumë e vështirë të cilën Denzel Washington e ka kryer me sukses të madh dhe për çdo lakmi. Gjithçka në këtë film është mbresëlënëse. Asnjë sekond i kohës dhe asnjë milimetër i filmit nuk është i tepërt. Emocionet lëvizin nga humori e deri te vaji e vajtimi, nga gëzimi e deri të hidhërimi e dëshpërimi. 

Filmi është adaptim i dramës së August Willson-it. I tërë filmi, pa asnjë pushim, përshkohet nga dialogu apo të folurit. Denzel Washington luan rolin 50 vjeçarit, Troy Maxon, i cili punon në ndërmarrjen e pastrimit apo mbledhjes së bërllogut të qytetit. Ai është analfabet dhe si shumica e njerëzve të kësaj kategorie, edhe Troy, e ka zhvilluar të folurit që është i rjedhshëm,  kuptimplotë dhe me plot tensione. Thjeshtë, të folurit e tij është oratori brilante. Kur analizohet ky film, fjala brilante do të duhet të shkruhej në çdo fjali. 

Duke u shpalosur filmi, merret vesh se Troy ka pasur jetë të vështirë në rini. Ka qenë në burg për vrasje. Ka qenë poashtu lojtar aspirues i bejzbollit por nuk ka mund të përparoj për shkak të racizmit institucional të Amerikës së asaj kohe. Ai është dëshpëruar me shoqërinë amerikane dhe nuk beson se kjo shoqëri do të ndryshoj.  Prandaj, ai ka ndërtuar parimet e veta të jetës që janë të ngurta, e cila gjë e qon në konflikt verbal por edhe fizik me djemtë e tij që i ka nga dy martesa. Biri i tij i madh është muzicient që nuk fiton para dhe vjen shpesh të premteve për t’i kërkuar 10 dollarë nga babai (Troy), i cili nëpërmes refuzimit e spjegon tërë situatën e familjeve amerikane të racës së zezë dhe konfliktin e gjeneratave. 

Djali i tij më i ri dëshiron të bëhet lojtar bejzbolli por Troy e refuzon pasi që nuk sheh sukses në një rrugë ku kishte dështuar ai vet. Konflikti në mes mentalitetit të ri dhe të vjetër shihet edhe nga dialogu mes këtyre dyve. Djali kërkon nga i ati të blej televizor, i cili mjet po depërtonte me të madhe në familjet amerikane në këtë kohë. I ati preferon gjëra më praktike dhe më të dobishme siç është meremetimi i kulmit të shtëpisë, e cila është blerë me paratë e vëllaut të tij që i ka shpërblim nga shteti për shkak se është me çrregullime mentale. 

Në mënyrë të mrekullueshme rolin e gruas së Troy-it (Rose) e luan Viola Davis. Ajo është një grua çfarë do të dëshironte ta kishte çdo burrë. Që të dy janë në dashuri të thellë me njëri tjetrin. Por, filmi dhe çdo ngjarje nuk do të ishte interesante pa lajmërimin e kthesave të jetës. Troy dashurohet në një grua tjetër, e cila nuk shihet në film. Nga kjo lidhje i lindë një vajzë por dashnorja vdes në lindje. Si rregullohet tashti mardhënia me gruan e përhershme dhe pse kishte ai nevojë për dashnore? Kjo gjë është spjeguar bukur, në mënyrë të fuqishme dhe njerëzore.

Vdekja e dashnores e tronditë rëndë Troy-in. Prandaj, ai i shpallë luftë vdekjes. Vendos të mbrohet nga vdekja duke e rrethuar oborrin.

Vdekja është dukuri universale dhe qëndron mbi peshën e relacioneve racore. Prandaj, vdekjes nuk ka mundësi t’i ikë njeriu që vjen në këtë botë. Troy vdes pas ndërtimit të rrethojës dhe ngjarja përcillet me tensione familjare në të cilën triumfon mençuria, njerëzimi dhe mirësia Rose-s, gruas së tij. Rose mbetet për t’u ballfaquar me jetën dhe duke e rritur vajzën e Troy-it, sikur ta kishte lindur ajo vet. 

Pra, filmi është brilant në çdo aspekt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco