Mbrëmje autoriale e Gani Karamanagës

Mbrëmje autoriale e Gani Karamanagës

13:32, 13/10/2020

Thërrmijat e mbledhura të një jete (mijëvjeçare) të Ulqinit

Botimi i një libri ka qenë dhe ka mbetur festë, veçanërisht nëse tematika e tij lidhet ngushtë me trevat tona në Mal të Zi.

Nikollë Berishaj

Autori, prim. dr. Gani Karamanaga tanimë na ka mësuar se librat që i shkruan, nëse nuk janë ngushtë të lidhura me profesionin e tij – mjekësinë, medoemos janë të lidhura me dashurinë e tij të madhe ndaj vendlindjes, Ulqinit, Kalasë… dhe aty, siç duket, ka gjetur burim të pashtershëm të inspirimit të vet. Me anekdotat e tij, në shikim të parë të kuptueshme dhe të njohura vetëm për bashkëvendësit (apo të harruara edhe prej tyre), autori krijon një mozaik të çmuar të së kaluarës së lavdishme të qytetit 2500 vjeçar, me të cilin mburret në çdo skicë, çdo shkrim, sado të shkurtër. Guralecët e mozaikut të tij renditën natyrshëm në faqet e cilitdo nga librat e tij, që nuk pretendojnë të bëjnë art të lartë, por që nga secili prej tyre ndihet aroma e artit të shkrimit e përzier, medoemos, me kalanë, detin, e pse jo edhe me një histori të pashkruar, por të përcjellë brez pas brezi nën bedenat e këtij qyteti piktoresk. Dhe sikur shtresat që duken qartë në muranat e kalasë së Ulqinit, ashtu edhe në librat e dr. Ganiut na shfaqen shtresa të një jete, qoftë të përditshme, qoftë edhe të asaj që ka lënë gjurmë në zhvillimin, por edhe në stagnimin e këtij qyteti.

Personazhet e dr. Gani Karamanagës janë njerëz sa të thjeshtë, aq edhe të posaçëm që ia kanë dhënë vulën e vet jetës në qytet. Autori nuk thellohet në përshkrime psikologjike të personazheve të veta, por më shumë në ndonjë episod nga jeta e secilit prej tyre që përbëjnë memorien kolektive të qytetit, e që shumë sosh, po të mos ishte pena e autorit do t’i mbulonte harresa. Brenda skicave e anekdotave të shkurtra, autori shpesh si tërthorazi jep edhe fakte historike, të verifikuara, të verifikueshme dhe të besueshme, paçka se ndoshta nganjëherë edhe në kundërshtim me atë “të vërtetën e ‘gjithëpranueshme’ historike”. Këtë ai e bën me vetëdije të plotë dhe me një qëllim të qartë të iluminimit të lexuesit të tij, qoftë ai shqiptar, apo edhe malazias. Pikërisht kjo fjalia e fundit është tejet e rëndësishme. Dr. Gani Karamanaga botimet e veta i bën në të dy gjuhët. Nuk mbetet në ‘enklavën’ shpesh të imponuar, që si synim ka vetëm një rreth të ngushtë lexuesish (lexo: lexuesin shqiptar, madje shqiptar nga Mali i Zi, apo më ngushtë ulqinak!) por vegimet e veta si shkrimtar i shtron në një sofër më të gjerë, edhe në gjuhën, të cilat mund ta lexohen në një hapësirë milionëshe të lexuesve të gjuhës me katër emra.

Kështu, prej autorit lexojmë se “pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi” (jo ‘çlirimit’ por ‘dorëzimit’ të Ulqinit nga perandoria Otomane Malit të Zi) një numër i konsiderueshëm e banorëve të këtij qyteti braktis vatrat e veta dhe gjen strehim e jetë që nga Shkodra e Durrësi e deri përtej oqeanit. Pavarësisht nga kjo, dr. Ganiu për ta shkruan si për ulqinakët që e ngritën emrin e qytetit të tij aty, ku vet autori mendon se duhet të gjendet.

Në librat e tij, dr. Gani, siç e njohin të gjithë bashkëvendësit, nuk ngurron të japë edhe detaje nga biografia e vet, para së gjitha nga veprimtaria e tij si mjek, nga vizitat e tij të panumërta nëpër të gjitha pikat, edhe më të largëtat, të territorit që përfshinte terreni i tij, por më së shpeshti në shërbim të një zbulimi të ndonjë fakti nga kujtesa e pashtershme e popullit, për t’i prezantuar më vonë ato në faqet e librave me sharmin e shkrimit të një kroniku të vëmendshëm. Dhe të gjitha këto shënime sot janë të përmbledhura si pasuri e përgjithshme e lexuesit, në njëmbëdhjetë librat e tij, prej të cilëve vetëm njëri është veç gjuhën shqipe.

Pikërisht ky autor, prim. Dr. Gani Karamanaga, ishte edhe shkaku i takimit në një mbrëmje autoriale, të organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM), të mbajtur të martën, më 29 shtator në QKI “Budo Tomoviq” në Podgoricë. Para adhuruesve të shumtë të fjalës së shkruar, numrin e të cilëve e kufizonin vetëm masat e Institutit të Shëndetit publik, për veprimtarinë artistike – letrare foli akademiku Zuvdija Hoxhiq, edhe si njohës i mirë i mjedisit për të cilin shkruan autori. Ai tha se secila skicë e shënim i dr. Ganiut mund të përdoret si një brumë e mirë për një vepër më të gjatë letrare, që nga tregimi, novela, e pse jo edhe romani. “Gjithmonë kam pretenduar se e njoh deri në detaje Ulqinin, shpirtin, sa edhe historikun e tij, por pas secilit libër të Gani Karamanagës, e shoh se sa të cekëta ishin njohuritë e mija për këtë qytet, për mua aq të dashur… Çdo herë, pasi e përfundoj leximin e dorëshkrimit të librit të tij të radhës, i them vetes: ‘kjo është një përmbyllje e bukur e shkrimit të tij’ e ai, shumë shpejt më befason me një libër të ri, aspak më të dobët.”

Po aq të zgjedhura ishin edhe fjalët e  Mr. scc Mirosllav Mariqit, që dha një vështrim të thukët të veprimtarisë së pulmologut e ftiziologut të njohur jo vetëm të Ulqinit, duke analizuar librat e tij nga fusha e veprimtarisë profesionale të kolegut – dr. Gani Karamanagës.

Moderatorja e mbrëmjes, Neda Popoviq, me përzgjedhjet nga shkrimet e autorit dha një prerje të bukur të asaj që mund të lexohet në veprat e tij. Për ambientin e bukur të kësaj mbrëmjeje autoriale u përkujdes me pjesën e saj muzikore, Amella Frluçkiq, mr. e fizarmonikës.

Dhe si ndodh zakonisht, prej autorit, përpos fjalëve të miradijes për folësit, publikun dhe të gjithë ata që e mbështesin në veprimtarinë  e tij letrare, zbuluam edhe një detaj nga biografia e autorit, për shumicën e të pranishmëve të panjohur, se shkrimet e dr. Ganiut, pavarësisht se auditori i dinte si të viteve të fundit, kishin historik shumë më të gjatë. Si nxënës i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Cetinë, autori ishte vlerësuar me çmimin e dytë të festivalit letrar, për nder të përvjetorit të çlirimit të Cetinës.

Dhe, në fund, jo për nga rëndësia, ndjenja që e kisha si dëgjues në këtë mbrëmje, dr. Ganiun nuk mund ta ndaja nga treshi i mjekëve tonë të mëdhenj, interesimi i të cilëve shkonte përtej stetoskopit e mantelit të bardhë. Më dukej se autori po fliste edhe në emër të prof. dr. Simë Dobrecit dhe dr. Lukë Gjokajt.

Disa të dhëna biografike, bibliografike për prim. Dr. Gani Karamanagën
I lindur më 1946 në Ulqin, ku e kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme të mjekësisë e përfundoi në Cetinë, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë n ë Beograd. Si mjek punoi në: Ostros (Krajë), Katërkollë (Ana e Malit), Tivar  edhe  më në fund në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin (prej 1978 deri me 1982  si drejtori i saj. Përsëri zgjidhet drejtor edhe dy herë, më 2003 dhe 2008) deri në pensionim.  Për punën profesionale dhe shkencore, Ministria e Shëndetësisë të Malit të Zi i jep titullin  primarius,  në maj të viti t 1998.

Lufta, ndërtimi dhe hapja e Maternitetit kanë qenë  angazhimi i veçantë i dr. Ganiut.

Dr. Gani Karamanaga është një ndër themeluesit i e Bashkimit të Krijuesve  Shqiptarë në Malin e Zi dhe kryetari i tij. Njëkohësisht është edhe anëtar i redaksisë së revistës “Dija”.

Është organizatori i tetë Simpoziumeve Ulqin-Shkodër.

Botimet:

“Mjekimi me faktorë natyrorë në regjionin e Ulqinit” (2008),“Historiku i  shërbimit  shëndetësor në Ulqin” (2011),  “Dielli, deti, shëndeti”, ”Udhëtimi  i një mjeku “(2015),Materniteti në Ulqin (2015), “Rrënjtë” (2016), “Zgjimi” (2016), “Në derë të oborrit” (2017), “Pazari i Gjytetit” (2019), “Mullini i Erës” (2020), “Monumentet” (2020). Prej tyre vetëm “Historiku…) është veç në gjuhën shqipe, veprat e tjera janë botuar edhe në gjuhën malaziase.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco