‘Godasin firmat e reja’/ Kongresi konstaton abuzime nga kompanitë e mëdha të teknologjisë

‘Godasin firmat e reja’/ Kongresi konstaton abuzime nga kompanitë e mëdha të teknologjisë

19:24, 07/10/2020

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve, që mori në analizë abuzimin e mundshëm të tregut nga katër prej kompanive më të mëdha të teknologjisë, konstatoi se ato përdorin metoda të padrejta, si për shembull i godasin firmat e reja që mund t’i konkurojnë “duke i blerë dhe zhdukur”, apo u vendosin bizneseve të vogla tarifa jashtëzakonisht të larta duke i detyruar ato të hyjnë në kontrata "të padrejta" në emër të fitimit.

Paneli, një nënkomision kundër monopoleve i Komisionit të Ligjeve, rekomandoi që kompanitë Alphabet Inc., (komania mëmë e firmës Google), Apple, Amazon dhe Facebook nuk duhet të kontrollojnë dhe njëkohësisht të ushtrojnë aktivitet në të njejtin biznes, por nuk rekomandoi ndarjen e tyre në kompani më të vogla.

Raporti shumë kritik prej 449 faqesh, përshkruan dhjetëra raste kur kompanitë keqpërdorën pushtetin e tyre, duke zbuluar kështu një kulturë korporatash, që duket se zgjedhin të bëjnë çfarë të munden që të ruajnë dominimin mbi pjesë të mëdha të internetit.

"Për ta thënë thjesht, kompanitë që dikur ishin të çorganizuara, të vogla dhe që sfiduan status quo-në e atëhershme, janë bërë sot si ato monopole që i kemi parë për herë të fundit në epokën e baronëve të naftës dhe manjatëve të hekurudhave", thuhet në raport.

Facebook, Apple dhe Google nuk patën komente të menjëhershme.

Në pritje të raportit, Amazon paralajmëroi në një postim të martën në një blog kundër "nocioneve të skajshme anti-monopol" dhe ndërhyrjeve në treg që "do të shkatërronin tregtarët e pavarur dhe do të ndëshkonin konsumatorët duke detyruar bizneset e vogla të largohen nga faqet e njohura në internet, duke rritur çmimet dhe duke zvogëluar zgjedhjet e konsumatorit".

Pas më shumë se një viti hetimi, që përfshiu 1.3 milionë dokumente dhe më shumë se 300 intervista, komisioni i udhëhequr nga ligjvenësi demokrat David Cicilline, zbuloi se kompanitë kontrollonin tregje ku ato gjithashtu konkurronin, duke krijuar "një pozitë që u lejon atyre të shkruajnë një grup rregullash për të tjerët, ndërsa vetë luajnë sipas rregullave të tjera".

Me vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, përmbajtja e raportit po merr tone gjithnjë e më politike, një mundësi për republikanët dhe demokratët për të rritur besueshmërinë e tyre në luftën kundër dominimit të tregut nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.

Sidoqoftë, Kongresi nuk ka gjasa të veprojë këtë vit bazuar tek këto gjetje.

Raporti pasqyron pikëpamjet e shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë që pritet të dalin dy raporte të tjera të hartuara nga anëtarët republikanë të panelit, sipas dy burimeve të agjensisë së lajmeve Reuters.

Rekomandimet

Paneli rekomandon që kompanitë të ndalohen të operojnë në fusha biznesi të lidhura ngushtë. Ndërsa ata nuk përmendën asnjë kompani, ky rekomandim do të sugjeronte që kompania Google, e cila drejton ankandet për hapësirën e reklamave në internet dhe merr pjesë në ato ankande, potencialisht duhet t'i kërkohet t’i ndajë qartë dy bizneset, ose madje të mos veprojë në këto fusha.

Raporti i bëri thirrje Kongresit t'u lejojë agjensive që zbatojnë ligjet anti-monopol më shumë liri veprimi në ndalimin e blerjes së rivalëve të mundshëm nga kompanitë, diçka që tani është e vështirë.

Blerja e Instagramit nga Facebook në 2012 është një shembull i kësaj. Instagrami në atë kohë ishte i vogël dhe i parëndësishëm, por Drejtori Ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, pa potencialin e tij dhe vuri në dukje se po "ndërtonte rrjete që janë konkurruese me tonat" dhe që "mund të ishin shumë çrregulluese për FB", sipas raportit.

Si pjesë e raportit, ekspertët e komisionit hartuan një listë ndryshimesh të mundshme në ligjin anti-monopol. Sugjerimet varionin nga më agresivet, si ndalimi i mundshëm i kompanive si Amazon nga operimi në tregjet në të cilat ajo gjithashtu konkurron, në më pak të diskutueshme, si rritja e buxheteve të agjencive që zbatojnë ligjin anti-monopol./ VOA/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco