Seancë në Kongres për USAGM-në

Seancë në Kongres për USAGM-në

22:26, 24/09/2020

Ligjvënësit në Uashington mbajtën të enjten një seancë për të analizuar disa vendime të kreut të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale, (USAGM) që përfshin Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera të transmetimit të financuar nga Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel, një demokrat nga Nju Jorku, i kishte kërkuar kreut të USAGM-së, Michael Pack, që të paraqitej dhe t’u përgjigjej pyetjeve të ligjvënësve. Zoti Pack la të kuptohej se kishte një angazhim tjetër të planifikuar dhe nuk mund të merrte pjesë.

Përveç zotit Pack, folës të tjerë të ftuar ishin ish-drejtues të rrjeteve të USAGM-së, të cilët dhanë dorëheqjen ose që u pushuan nga puna menjëherë pasi ai mori drejtimin e agjencisë në qershor.

Mes tyre ishin ish-drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennett; Jamie Fly, ish-presidenti i Radios Evropa e Lirë / Radio Liria; dhe Karen Kornbluh, kryetare e bordit të drejtorëve të Fondit të Teknologjisë së Hapur.

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë kanë shprehur shqetësime rreth pushimeve nga puna të drejtuesve të lartë të organizatës së medias, refuzimit të agjencisë për të zgjatur vizat për gazetarët e saj të huaj dhe çështje të tjera që kritikët thonë se po shkatërrojnë pavarësinë editoriale të rrjeteve të financuara nga SHBA, që transmetojnë për audienca të huaja.

Zoti Pack, ish-producent i pavarur filmash dhe televizionesh dhe ish-drejtues i një fondacioni konservator, ka mbrojtur veprimet e tij në intervista dhe në komunikime me stafin e USAGM-së, duke thënë se ai do që të mbrojë pavarësinë editoriale të agjencisë dhe ta bëjë atë më efektive në arritjen e misionit të saj.

Ai ka thënë gjithashtu se kontrolle qeveritare kanë nxjerrë në pah probleme serioze sigurie që kanë vazhduar prej vitesh dhe që nuk janë trajtuar nga udhëheqësit e mëparshëm të institucionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco