Artistët kërkojnë hapjen e teatrove

Artistët kërkojnë hapjen e teatrove

21:32, 23/09/2020

Pavarësisht se Bordi këshillues për menaxhimin e pandemisë i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të rihapë teatrot dhe kinematë, ekzekutivi ende nuk ka vendosur për një gjë të tillë.

Komuniteti artistik në Kosovë po kërkon që teatrot dhe kinematë të rihapen, pasi periudhën e mbylljes prej gjashtë muajsh po e konsiderojnë “humbje shpirtërore”.

Këto institucione kulturore, në Kosovë u mbyllën në muajin mars, atëherë edhe kur u regjistruan rastet e para me koronavirus në Kosovë, si masë për të frenuar përhapjen e këtij virusi.

Aktorja Ilire Vinca, thotë se rihapja e teatrove do të ndikonte në krijimin e një atmosfere të normalitetit.

“Duke e pasur parasysh që e kemi pasur një fazë të mbylljes dhe gjithçka ka qenë brenda mureve të shtëpisë dhe e gjitha që kemi bërë ka qenë konsumi i barkut, e unë mendoj se uria më e madhe e një populli është teatri. Sallat e teatrit janë shumë më të mëdha se kafeteritë, për shembull, dhe duke i respektuar rekomandimet e institucioneve, do të ishte një rikthim i normalitetit në të gjitha fushat. Do të thotë, nëse do të ushqeheshim edhe me ‘ushqim shpirtëror’, mendoj se do të ndikonte shumë mirë”, thotë Vinca.

Edhe në rrjetet sociale, artistët po bëjnë thirrje që këto institucione kulturore të rihapen.

Mikrobiologu Lul Raka, që është anëtar i Bordit këshillëdhënës për menaxhimin e pandemisë, tregon se ky trup ka rekomanduar se për rihapjen e teatrove dhe kinemave, do të duhej të aplikoheshin një sërë rekomandimesh për mbrojtje nga COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Raka thotë se ky bord ka rekomanduar që të mbahet distanca fizike në këto institucione kulturore, duke që kjo të bëhet duke lënë dy ulëse të lira. Por, sipas tij, ky rregull nuk do të duhej të vlente për familjet.

“Qëllimi i Bordit ka qenë hapja, por e kontrolluar, jo vetëm në teatër por në të gjitha sferat. Kjo pasi virusin e kemi këtu dhe duhet mësohemi të jetojmë me të. Kërkesa për rihapjen e kinemave dhe teatrove është shqyrtuar në takimin e Bordit që është mbajtur me 28 gusht, ku rekomandimet e bordit ka qenë që të rihapen teatrot por edhe kinematë, me kapacitet të reduktuara, pra 1/4 e kapaciteteve dhe me zbatim e kontroll rigoroz të masave parandaluese. Inspektimi i zbatimit do të përcillej strikt nga autoritetet përkatëse”, tha Raka.

 

Gjatë kësaj periudhe mbylljeje, humbjet për komunitetin artistik, në të gjitha aspektet, po dalin të jenë të mëdha. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naser Shatrolli, tha se pasojat tashmë janë evidente në aspektin psikologjik te të gjithë krijuesit.

“Ne si Teatër Kombëtar kemi bërë kërkesë që të gjinden module që të hapen teatrot, qoftë edhe me një orar të shkurtuar. Ende nuk kemi marrë përgjigje. Do të dëshiroja që të fillojmë sa më parë me ndonjërin prej projekteve, pasi kemi shumë të planifikuara dhe të votuara nga këshilli i teatrit. Komunitet është i shqetësuar pasi kanë nevojë të punojë, të i rikthehet teatrit. Po shpresojmë mos po e marrim një lajm pozitiv këto ditë”, tha ai.

Ndërkaq, aktorja Ilire Vinca thotë se komuniteti i artistëve mbijeton nga profesioni. Andaj, siç thotë ajo, humbjet dhe pasojat e mosfunksionimit të kësaj fushe, me siguri se do të shpërfaqen me kohë.

‘’Mbyllja ndikon keq edhe shpirtërisht, pasi që ballafaqohesh me ekzistencë, nuk kanë siguri tjetër të ekzistencë shumica e komunitetit. Natyrisht që kjo nuk na bën të ndihemi mirë, por shpresoj që këtë e kanë menduar krerët e institucioneve dhe do t’ju dalin në krah komunitetit të artistëve”, tha aktorja Vinca.

As vetë anëtari i Komisionit për kulturë në Kuvendin e Kosovës, Fitim Uka nuk e ka të qartë se pse nuk është bërë rihapja e këtyre institucioneve.

Ai tha se vendimi për moshapje është paradoksal, pasi tashmë qeveria ka lejuar rihapjen e shkollave, kafiterive e institucioneve të tjera publike.

“Derisa kemi pasur hapje të kafeneve, shkollave institucioneve me të njëjtat kushte dhe kërkesa për respektim të masave mbrojtëse, do të mund të hapeshin edhe kinematë dhe teatrot. Kjo reflekton se sa e kanë me prioritet kjo qeveri artin e kulturën, e që nuk duket në horizontin e tyre politikë. Përderisa artistët kanë qenë të durueshëm, është keqpërdorur mirësia e tillë dhe unë e shoh të vetmen zgjidhje që këto të hapen duke i respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Megjithëkëtë nuk e di se kur do të rihapen, nuk kam unë lajm për ndonjë datë të caktuar’’, tha Uka.

Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nga takimi i fundit i Komisionit për vlerësim dhe koordinim të situatës lidhur me COVID-19, janë dhënë disa rekomandime për qeverinë për disa masa të reja, ku përfshihet edhe lejimi i pjesshëm i disa aktiviteteve sportive dhe kulturore, të cilat është rekomanduar që të lejohen me kushtin që t’i zbatojnë protokollet përkatëse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Arsyeje pse disa aktivitete nuk janë hapur deri më tani ka qenë rreziku nga përhapja e COVID-19, sidomos në veprimtaritë që veprojnë në hapësira të mbyllura. Ndërkohë që duhet bërë dallimin midis shërbimeve esenciale apo vitale, që duhet domosdo të funksionojnë, në raport me disa shërbime apo veprimtari të tjera, që janë të rëndësishme gjithsesi, por të cilat është dashur të mbyllen në kushtet e një emergjence të lartë të shëndetit publik, siç është COVID-19”, tha Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sidoqoftë, Teatri Kombëtar tashmë e ka përgatitur një shfaqje, e cila do të luhet si premierë sapo të marrin lajmin se do të rihapet teatri. Shfaqja e parë e cila do të luhet është ‘’Zgjimi i Pranverës’’. Më pas janë përgatitur edhe dhjetë shfaqje të tjera që janë planifikuar gjatë këtij viti.Sidoqoftë, në shumë vende të rajonit teatrot e kinematë tashmë janë rihapur. Serbia ka bërë rihapjen e tyre më 24 gusht, derisa Maqedonia e Veriut ka vendosur që në disa qytete, shfaqjet teatrale të luhen në ambiente të hapura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco