Udhëtim nostalgjik në kohë-Flim

Udhëtim nostalgjik në kohë-Flim

08:55, 21/09/2020 Nga Gani Mehmetaj

"Trishtimi i zonjës Shnajder", regjia Piro Milkani, Eno Milkani, sipas skenarit të Piro Milkani, Radek Sofr, muzika Milan 
Kymlicka. Në rolet kryesore intërpretojnë: Anna Geislerová, Nik Xhelilaj, Barbora Stepánová, Tomás Töpfer, Kamil Kollarik, Michele Placido, Paolo Buglioni, Arta Dobroshi, Niko Kanxheri, Pavlina Karpeles, Alena Kubalkova etj.

Sa herë e shoh filmin e Piro Milkanit "Trishtimi i zonjës Shnajder" se si me ngjallë emocione e kujtesë. Një film ndryshe nga filmat tjerë të kinematografisë shqiptare, një film ndryshe nga filmat e mikut tim të vjetër, një film i ngjashëm, por prapë paksa tjetër nga shkolla e njohur çeke. Ka diçka nga vendi ku Piro studioi (atmosfera, njerëzit, pamjet, figurat tragjikomike, kështjellat interesante, historitë), ka diçka edhe nga fryma e neorealizmit italian, por ka edhe primesa politike, momentet e thyerjeve të mëdha në mes të shteteve të bllokut socialist, kur binin kokat dhe pësonin individët.

Por filmi nuk është rrëfim i dramave të mëdha hamletiane, të jesh a të mos jesh, është rrëfim për të riun që dashurohet në vendin dhe në femrat, bashkëjeton në çapkënllëqet e të rejave.

Personazhet e filmit "Trishtimi...." janë të veçantë e tipik: një grup studentësh nga Akademia e Arteve të Bukura shkojnë për të xhiruar filmin e tyre të diplomës në një Fabrikë motorrësh në Ceskz stemberk (Çeki). Provinca sa është e amullt aq është intriguese: njerëzit lëvizin në rreth të mbyllur, kanë dramat dhe trishtimet e tyre, kënaqësitë dhe dëshpërimet. 
Regjisori rrëfen në mënyrë të lehtë e të paimponueshme, ka personazhe të portretizuara mirë, atmosferë artistike dhe pikëllim.

Piro Milkanin e kam njohur para dyzetë vjetësh (1980), në Festivalin e Filmit Ballkanik në Lubjanë, i kam ndjekur të gjithë filmat e tij para dhe pas njohjes, por rrethanat e mëpastajme politike ndikuan që të mos mund të shkruaja për filmat e tij. 
Pas shembjes së diktaturës, shumica e regjisorëve shqiptarë nuk e gjeti vetën në rrethana të reja. Kaosi "demokratik' nuk u ofroi mundësi krijimtarie, xhironin pak ose aspak, ndërsa lirinë e shprehjes e kishin shumë më të madhe. Piro e xhiroi këtë film pas shumë peripecish. Dhe i doli mirë.

Me "Trishtimi i zonjës Shnajder" Milkani e rrumbullakoi krijimtarinë artistike. Thuhet se është ndërtuar mbi elemente autobiografike, ndërsa me rëndësi është që ai na e jep një pamje artistike të kohës, na e jep dramën e të riut në mes dëshirës të qëndrojë dhe urdhrit të shtetit që të kthehet.

Tash së fundi kur e pashë filmin "Trishtimi i zonjës Shnajder" isha në "karantinë", i mbërthyere në shtrat nga Covit 19, por kjo nuk me pengoi ta shijojë dhe ta përjetoj si ta shihja për herë të parë: një filmi i ngrohtë dhe emocional.

Drejtor Fotografie: Miro Gabor, Afrim Spahiu. Aktorë: Anna Geislerová, Nik Xhelilaj, Barbora Stepánová, Tomás Töpfer, Kamil Kollarik, Michele Placido, Paolo Buglioni, Arta Dobroshi, Niko Kanxheri, Pavlina Karpeles, Alena Kubalkova, Michaela Kundelová, Monika Kvasnicková, Violeta Manushi, Petra Novotná, Bohumil Starý, Otta Tesar.
Regjia: Piro Milkani, Eno Milkani, skenari: Piro Milkani, Radek Sofr, muzika: Milan Kymlicka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco