Dokumentari 'Persekutimi i 'kulakëve' në diktaturë: Shaban Plaka'

Dokumentari 'Persekutimi i 'kulakëve' në diktaturë: Shaban Plaka'

10:17, 22/07/2020

"Persekutimi i “kulakëve” në diktaturë, Shaban Plaka”, dokumentar i gazetares Luljeta Progni u prezantua në fshatin Gostimë të bashkisë Cërrik.

“Persekutimi i “kulakëve” në diktaturë, Shaban Plaka” është realizuar mbi materialet arkivore mbi familjen Plaka, vëllezërit Shaban dhe Ibrahim Plaka, të tërhequra nga familjarët pranë AIDSSH, si dhe dëshmitë e familjarëve. Filmi shfaqet në fshatin e lindjes, në 45-vjetorin e vdekjes së Shaban Plakës, pas njohjes së familjes me dokumentacionin përkatës në dokumente dhe zbardhje të bashkëpunëtorëve.

Përfaqësues të AIDSSH, komunitetit të të përndjekurve të zonës dhe shoqatave të të drejtave të njeriut, familjarë dhe bashkëfshatarë përkujtuan figurën e Shaban Plakës, në fshatin e tij, Gostimë, ku familja ka pasur kontribute të njohura.

Me një djalë dëshmor në luftë, familja Plaka pësoi persekutim shumëvjeçar për shkak të akuzave që rënduan mbi dy vëllezërit e dëshmorit Xhemal Plaka, të përfshirë në luftë në batalionin Dumreja dhe më pas të akuzuar nga pushteti, si “armiq të popullit”.

Për akuzën ndaj Shaban Plakës si bashkëpunëtor i Ballit Kombëtar dhe i përfshirë në vrasjen e një partizani, prokurori kërkoi burgim të përjetshëm, gjykata e dënoi me 25 vjet burg.

Dëshmitë provuan të kundërtën, që Shabani me të vëllanë ndihmuan lëvizjen nacionalçlirimtare dhe familjet në nevojë.

Ibrahim Farka, kryetar i këshillit nacionalçlirimtar të Dumresë deri në 1946, më pas u dënua si kundërshtar i regjimit, “se ndihmoi Hamit Matjanin”. Ibrahimi votoi kundër pushtetit dhe e arrestuan, pasi u shpreh hapur dhe i zhgënjyer nga komunistët.

E ëma hoqi dorë nga titulli si familje dëshmori dhe iu përkushtua djemve.

Familjes iu sekuestruan pronat dhe pasuritë e jetoi në kufijtë e mbijetesës.

Shabani e çoi burgun me punë të detyruar në Elbasan, Tiranë, Kuçovë e Maliq, Gjirokastër, Spaç e Reps, me takime familjare çdo tre muaj, në burgjet dhe kampet e punës së detyruar në vend, pavarësisht kushteve dhe gjendjes shëndetësore të familjarëve. Edhe njohja e takimi i parë me të birin e mitur u bë në kamp, në Kuçovë.

Në 1954 Shabani u lirua dhe u kthye në Gostimë, pa prona e pasuri, pranë gruas, djalit dhe nënës. Punoi qeramikën për të siguruar të ardhura, në përndjekjen vijuese të Sigurimit, me informatorë dhe agjentë, deri kur u ridënua, në 1966, pas 10 vitesh survejim.

U dënua nga Gjykata e Elbasanit, me 12 vjet heqje lirie, nga të cilat kreu 10 vjet. 3 muaj pas lirimit, në moshën 53-vjeçare ndërroi jetë nga sëmundja, i ndjekur nga e ëma e shumëvuajtur.

Largimi i tyre nga jeta u bë në izolim, pa bashkëfshatarë që t’i përcillnin.

Familja Plaka u persekutua në shkallë të gjerë, u izolua, iu mohua e drejta për t’u arsimuar dhe ecur përpara, marrë pjesë në aktivitete, grumbullime sociale, kulturore, etj., u trajtua si “armike e popullit”, duke u demaskuar edhe publikisht.

Në nderim të 11 burrave të fisit të njohur Plaka, të dënuar politikisht nga regjimi komunist me pushkatim, burgim, punë të detyruar dhe internim, sot në Gostimë ka një rrugë me emrin “Shaban Plaka”.

Dokumente dhe materiale arkivore të AIDSSH janë vënë në dispozicion të qytetarëve, familjarëve të të dënuarve politikë, studiuesve dhe gazetarëve, sipas kërkesës. Hulumtimi në materiale arkivore ka prodhuar artikuj shkencorë, mediatikë, filma dhe dokumentarë, speciale dhe ekskluzive, si bashkëpunime të AIDSSH me institucione partnere, organizata apo individë, për të rritur ndërgjegjësimin për krimet e komunizmit, për të inkurajuar dialog me universitetet, akademikët, komunitetet vendore, të mbijetuarit e familjarët e tyre, mediat dhe publikun e gjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco