'Kompanitë duhet të heqin nga tregu pajisjet Huawei’/ Trump miraton ligjin për komunikimin dixhital

'Kompanitë duhet të heqin nga tregu pajisjet Huawei’/ Trump miraton ligjin për komunikimin dixhital

20:36, 17/07/2020

Presidenti Trump ka nënshkruar ligjin që ndalon infrastrukturën e komunikimit dixhital nga prodhues kinezë të përfshirë në listën e ndaluar.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Calla Yu njofton se, si rezultat, dhjetëra kompani amerikane në zona rurale do të duhet të heqin dhe zëvendësojnë pajisjet e kompanive Huawei dhe ZTE, raporton VOA.

Për 18 vjet, Jim Kail ka punuar si teknik i lidhjes së rrjeteve dixhitale në zona rurale të Pensilvanisë. Tani ai drejton një kompani lokale të telekomunikacionit dhe e njeh mirë këtë biznes:

“Një pjesë e madhe e biznesit tonë mbështetet tek marrëdhëniet dhe besimi i klientit. Prandaj është e vështirë për një biznes nga një shtet tjetër, aq më pak nga një vend si Kina të vijë në këtë zonë rurale amerikane dhe të bëjë biznes”, thotë ai.

Prandaj kur kompania Huawei i bëri për herë të parë ofertë zotit Kail, ai nguroi. Ai kishte mëdyshje për cilësinë dhe besuesmërinë e shërbimit. Për më tepër, nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë emrin “Huawei”.

Por ata ofronin çmimin më të ulët në treg, vetëm 1/3 e çmimit të konkurrentëve të tjerë. Kjo do t’i kursente zotit Kail qindra mijëra dollarë. Megjithatë ai nuk ishte i gatshëm të bënte biznes me një kompani kineze.

“Në atë kohë kisha dyshime për sigurinë. Por pasi e analizuam nuk zbuluam ndonjë shenjë se kompania kishte bërë ndonjë gjë të paligjshme apo që rrezikonte sigurinë”, thotë ai.

Zëri i Amerikës pyet sa klientë marrin shërbim përmes pajisjeve të kompanisë Huawei.

“Aktualisht rreth 1000-1100 kanë pajisje të kompanisë Huawei në shtëpi,” thotë punonjësja e rrjetit “LHTC” Bonnie Bond.

Pajisjet përdoren për televizorin dhe internetin, shpjegon zonja Bond.

Pajisjet kineze u futën në përdorim në 2014. Zoti Kail ka qenë i kënaqur me cilësinë dhe shërbimin. Por shqetësimet për sigurinë ishin të vazhdueshme. Në kuadër të masave kundërpërgjigjëse ndaj Kinës, Presidenti Trump nënshkroi ligjin “hiq dhe zëvendëso” dhe ndalimin e blerjes me subvencione qeveritare të artikujve nga kompani kineze të përfshira në listen e zezë të SHBA, si Huawei.

Kompania Huawei këmbëngul se nuk ka bërë asgjë gabim dhe thotë se këto janë akuza të pabaza.

Ekspertë të sigurisë besojnë se duhet vigjilencë e madhe në shkëmbimet me kompani që veprojnë nën sistemin politik kinez.

“Është e vështirë të gjenden prova. Kjo është gjithmonë sfidë kur ke të bësh me probleme të sabotazhit të padukshëm. Kur kodi ka kaq shumë probleme, si mund ta dish se cilat janë probleme teknike e cilat janë sabotazhe të maskuara si defekte,” thotë studiuesi Nicholas Weaver.

Me kërkesë të Komisionit Federal të Komunikimeve, FCC, zoti Kail paraqiti një raport në muajin maj ku përllogariste koston dhe punën që duhet për të zëvendësuar pajisjet e kompanisë Huawei. Do të duhet një vit dhe 600 mijë dollarë si dhe vonesa në shtrirjen e fibrave optike për 2000 shtëpi. Por zoti Kail thotë se për të siguria kombëtare është shumë e rendësishme:

“Nuk do të bënin asgjë që vë në rrezik sigurinë e rrjeteve. Nuk do të bëjmë asgjë për të rrezikuar sigurinë kombëtare, thjesht për të bërë një lek më shumë,” thotë zoti Kail.

Për të lehtësuar koston, qeveria federale ka miratuar 1 miliardë dollarë për të ri-imbursuar programin. Komisioni FCC përllogarit se kostoja mund të jetë mbi 2 miliardë dollarë dhe kërkon mbështetje më të madhe nga Kongresi.

Kompanitë rurale duan përgjigje sa më parë. Huawei ka ndalur mbështetjen teknike dhe furnizimin me pjesë për kompaninë e zotit Kail, gjë që ka sjellë probleme jo vetëm për zgjerim të operacioneve por edhe për riparime.

Zoti Kail thotë se nuk e kishte menduar kurrë që do të haste në probleme të tilla. Çmimet që i ofroi kompania Huawei ishin shumë me leverdi, por tani ai po sheh një kosto shtesë. Ai thotë se nuk beson se do të bashkëpunojë me një kompani tjetër kineze në të ardhmen.

“Nuk duam të jemi përsëri në një pozitë kur pasi kemi instaluar pajisjet, kemi shpenzuar aq shumë kohë e fonde, do të na duhet t’i heqim përsëri,” thotë zoti Kail.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco