‘Poliagjentët’ Camaj e Koliqi, përplasje Tare-Hasimja/ Debat i ashpër mes studiuesve në ‘Kafe shqeto’

‘Poliagjentët’ Camaj e Koliqi, përplasje Tare-Hasimja/ Debat i ashpër mes studiuesve në ‘Kafe shqeto’

16:03, 09/07/2020

Shkrimi i Auron Tares sipas të cilit dy shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi kanë qenë poliagjentë ka sjellë përplasje të ashpra në emisionin ‘Kafe shqeto’ në SYRI TV.

Studiuesi Ermal Hasimja u shpreh se Tare po njehson aktivitetin antikomunist të shkrimtarëve me aktivitetin antikombëtar. Në emision ndërhyri edhe mbesa e shkrimtarit Martin Camaj.

Barazimi i aktivitetit antikomunist të shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi më aktivitetin antikombëtar është objektivi i studiuesit Auron Tare, i cili në shkrimin e tij titull ‘Camaj dhe Koliqi të pazbuluar’ ka publikuar dokumente që sipas tij faktojnë së dy shkrimtarët e njohur kanë qenë poliagjentë dhe kanë punuar me shërbimet sekrete jugosllave, gjermane, angleze dhe amerikanë.

Akuzën autorit të këtij shkrimi ia ka bërë në përballjen live në emisionin ‘Kafe shqeto’ në Syri Televizion studiuesi Ermal Hasimja, i cili ndër të tjera drejton edhe shkollën me emrin Ernest Koliqi.

Hasimja i kujtoi Tares së shkrimi bazohet në aludime dhe ka synim denigrimin e figurës e dy shkrimtarëve të njohur, teksa nuk munguan përplasjet deri në fyerje personale në debatin që drejtohej nga gazetaret Flavio Qarri dhe Dori Daka.

Tare duke mbrojtur tezën e tij u shpreh se Martin Camaj ka qenë pjesë e komitetit të Prizrenit, i krijuar nga UBD-ja jugosllave nën drejtimin e gjeneralit Dushan Mugosha. Sipas Tares kjo e bën Camajn spiun të shërbimit sekret serb, ndërsa Hasimja në kundërpërgjigje pohoi se Partia Komuniste shqiptare është krijuar me bekimin e Dushan Mugoshës dhe më këtë logjike i bie se kjo parti që udhëhoqi Shqipërinë për 45 vite i ka shërbyer me devotshmëri shërbimit sekret serb.

Auron Tare në emision dha detaje se si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kanë shërbyer shërbimeve sekrete të vendeve të ndryshme, ndërsa Hasimja u ndal në aktivitetin patriotik të tyre, të cilin Tare u përpoq ta mohonte.

Situata është tensionuar teksa gjatë emisionit ka bërë një ndërhyrje live ne emision Vera Camaj, mbesa e shkrimtarit Martin Camaj, e cila ka lëshuar një lumë akuzash ndaj studiuesit Auron Tare, e cili zgjodhi të heshtjen.

Tare gjatë bisedës nuk i shpëtoi as përplasjeve me drejtuesit e emisionit për të cilët aludoi për njëanshmëri në trajtimin e kësaj çështjeje. Shkrimi i Auron Tarës për dy shkrimtarët e njohur Ernest Koliqi dhe Martin Camaj ka nxitur mjaft debate, teksa analistë dhe shkrimtarë të njohur janë ndarë në dy kampe të ndryshime pro dhe kundër Tarës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco