Kur Jeniçeri kthehet në engjëll!

Kur Jeniçeri kthehet në engjëll!

12:41, 30/06/2020

Me shpirt të shkallmuar, zvarritja ime sikur mori fund para një askundje, ku dukej se ishte ai fundi që më priste dhe e prisja gjatë atij udhëtimi të zherbjes sime.

Por, seç m’u bë se në atë përhumbje ishte zëri i sime Amë, si një përftim, që më tha diçka rreth “Sëmundjes së territ”.

Çfarë t’i thosha tjetër kur ajo paraqiste një gjendje që merrej si çekuilibrim i përhershëm shpirtëror midis dy gjendjeve, që i përcjell ata që mbesin në gjysmë të rrugës? A nuk do të thoshte kjo se mundimi im do të vazhdonte edhe përkundër asaj se bredhja ime në kërkim të madhështisë kishte marrë fund, ngaqë i kishte munguar vullneti i fuqisë, ajo shtysa me të cilin përballohet “sëmundja e territ”?

Desha t’i thosha, po ashtu, se mund të kishte qenë pikërisht ajo që, si fëmijë, kur më kishte thënë se duhej të lirohesha nga mbërthimi i rrethit për t’i takuar një bote të pakufishme të dijeve, që më kishte futur në kurthin e një mashtrimi, ngaqë të zhytur në terrim shpirti, atë e kishim kob të përhershëm, ku shuhej secili yll shprese pa u parë mirë?

Mbase, do t’i flisja edhe për mundimet tjera, që më kishin përcjellë deri te ajo pikë kur po hetoja fundin ngushëllues, por ishin fjalët e saj, që po ma bënin me dije rreth fundit si fillim dhe fillimit si fund, pra për përsëritjen e të njëjtës, që më trishtuan, ngaqë, po rikthehesha në atë botë të përhumbur dhe tejet mizore, ku jeniçeri dhe jeniçerët, kremtoheshin engjëj shpëtimtar madje!
Medet, thashë, ç'e do kur deshtakët si unë i kanë fat jeniçerët!...

(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, Prishtinë, 2013).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco