Ambasadori Arben Çejku analizon dialogun Kosovë-Serbi në librin e ti të ri “Sovraniteti versus Integriteti”

Ambasadori Arben Çejku analizon dialogun Kosovë-Serbi në librin e ti të ri “Sovraniteti versus Integriteti”

08:16, 30/06/2020 Nga Nga Ahmet Prençi

 

Arben Çejku, ambasador, shkrimtarë dhe publicist sapo ka botuar në shtëpinë botuese prestigjioze ‘ONUFRI’, veprën e tij të re, ‘SOVRANITETI versus INTEGRITETI’ - Prapaskenat e dialogut dhe sfidat e pajtimit mes Kosovës e Serbisë 2005-2020.s

Nuk është aspak befasi as suprizë. Për mua dhe për lexuesin shqiptar nuk përbën befasi autori dhe as libri. Arben Çejku është prezantuar prej dekadash para publikut si publicist, si diplomat, si shkrimtar, si analist e opinionist. Në secilën prej këtyre fushave ka spikatur me përkushtim, talent, patriotizëm dhe maturi të admirueshme.

I kam lexuar me kënaqsi librat e tij: vëllimin poetik ‘Floknaja e muzgut’, librin publicistik ‘Diplomacia e imponuar’ dhe romanin brilant ‘Dymbëdhjetë’. Titulli i fundit ‘Sovraniteti versus Integriteti’, për nga vlerat dhe përmasat, përbën një ngjarje të rëndësishme për autorin, lexuesin madje edhe vetë diplomacinë shqiptare.

 

Këtë libër të sapo botuar, pata fatin ta lexoj ndër të parët. Nuk jam as diplomat e as historian, por me vëmendjen e një lexuesi, kam gjetur një vepër unike, të pashkruar më parë për temën që trajton. Autori ka trajtuar gjerësisht dimensionet e kësaj situate mjaft të mprehtë dhe shumë aktuale. Kam arritur të konstatoj gërshetimin e hollë të autorit mes diplomacisë, historisë dhe publicistikës. Ai i zotëron më së miri njohuritë në këto fusha, i ka shkrirë plot talent e mjeshtëri në të gjithë tekstin e kësaj vepre shumë të rëndësishme akademike. Herë - herë, duke e lexuar të duket si një ‘testament diplomatik’ për nga ndjeshmëria përkushtimi, analiza dhe gjykimi i thellë e serioz i autorit, që ‘preket’ në çdo resht të këtij botimi...

Gjithë librin, që tashmë është pronë e lexuesve dhe studiuesve, autori e ka parë nga një pozicion të baraslarguar, duke qëndruar larg konflikteve, fyerjeve dhe opinioneve personale. Ka shfaqur një panoramë të plotë dhe objektive të bazuar mbi analiza serioze dhe qindra referenca që shoqërojnë çdo faqe të këtij botimi mjaft të rëndësishëm.

Vepra është voluminoze, por e shkruar me seriozitet, mjeshtëri e profesionalizëm të admirueshëm. Çdo kapitull mund të trajtohet e të lexohet si një libër më vete. Çdo lexues do të provojë që asnjë frazë nuk është e tepërt. Libri shijon në harmoninë e teknikave të të shkruarit dhe të të konceptuarit. Është shumë i rëndësishëm për larminë e madhe enciklopedike, ku duket qartë se janë shfrytëzuar maksimalisht të dhëna arkivore të jashtëzakonshme në funksion të qëllimit të kësaj vepre. Po aq i rëndësishëm është edhe pasqyrimi i qëndrimeve të aktorëve të rëndësishëm, të përmbledhur me finesë diplomatike nga autori.

Unë mësova nga ky libër shumë te reja për Kosovën dhe problematikën e saj në rrugëtimin e gjatë, të dhimbshëm e të mundimshëm drejt pavarësisë. Për herë të parë lexova nën një ndriçim të plotë se ç’mendojnë serbët në Kosovë për këtë çështje. Ç'mendojnë të gjithë faktorët serb në Beograd. Roli i Rusisë dhe i kishës ruse dhe asaj serbe për çeshtjen e Kosovës. Qëndrimet kronologjike të Brukselit, Berlinit etj. Roli i çmuar i Uashingtonit dhe aktorëve ndërkombëtarë në hapat e shtetit të ri të Kosovës

Parathënia e librit, e shkruar nga David L. Philips - i cili ka shërbyer si këshilltar i presidentëve amerikanë Klinton, Bush dhe Obama - tregon se kjo është një vepër e rëndësishme me vlera të padiskutueshme studimore,akademike dhe diplomatike. I parë në tërësinë e vet, libri i ambasadorit Çejku, thënë pa rezerva, është një ‘bibël’ diplomatike, sidomos për ata që ëndërrojnë t'i përkushtohen këtij profesioni fisnik të shoqërisë njerëzorë, siç është diplomacia.

Ftoj miqtë e mi ta marrin këtë libër. I ftoj ta lexojnë dhe i siguroj se do jenë falenderues ndaj autorit dhe kontributit të tij të çmuar në interesin kombëtar të shqiptarëve. Udhë e mbarë librit të sapo botuar tek ‘ONUFRI’ dhe suksese me libra të tjerë ambasadorit Arben Çejku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco