‘Vlera të trashgimisë’, Meta dekoron këngëtarët e njohur të polifonisë në Skrapar

‘Vlera të trashgimisë’, Meta dekoron këngëtarët e njohur të polifonisë në Skrapar

14:45, 25/06/2020

Gjatë vizitës në Skrapar, Presidenti Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar Demir Zyko (pas vdekjes), me motivacioni: “Për vlerat e spikatura si këngëtar me zë të artë i polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje ndaj bartësit të shquar të vlerave të trashëgimisë muzikore dhe shpirtërore shqiptare, i cili ishte dhe mbeti një model i rrallë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre ndër breza”.

Kreu i Shtetit çmoi gjithashtu edhe zotin Dule Caushaj (Malindi) me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje për interpretimet e rralla si këngëtar me vlera të veçanta në shpalosjen e kësaj trashëgimie të vyer, brenda dhe jashtë vendit tonë”.

“Unë Demir Zykon, e kam njohur më shumë përmes Dritëro Agollit, këtij personaliteti shumë të madh të kulturës sonë kombëtare, i cili kishte një dashuri të veçantë për Skraparin, dhe një nga arsyet kryesore ishte adhurimi dhe vlerësimi i jashtëzakonshëm për këngëtarin e madh Demir Zyko.

Ndaj sa herë që vinim në Skrapar, Dritëroi kërkonte me këmbëngulje që të vizitonim Gjerbësin për të nderuar familjen e Demir Zykos, por edhe për të kënduar dhe për të thënë gjithmonë se: ‘Jeton Xha Demiri, se jeton gjithmonë kënga e tij’!

Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë! Malet, sepse gjithmonë ishin fortesat e lirisë dhe të qëndresës ndaj pushtuesit, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u transmetua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar.” u shpreh Meta në fjalën e tij.

Fjala e plotë:

“Të dashur motra dhe vëllezër të Skraparit!

Shumë i dashur poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu që na keni nderuar!
Shumë të nderuar miq që keni ardhur sot këtu nga i gjithë vendi për të marrë pjesë në këtë veprimtari!
Të nderuar personalitete të kulturës!
Është kënaqësi dhe privilegj të nderoj sot dy personalitete të veçanta dhe tepër të spikatura jo vetëm të kësaj treve, por edhe të kulturës sonë.
Unë Demir Zykon, e kam njohur më shumë përmes Dritëro Agollit, këtij personaliteti shumë të madh të kulturës sonë kombëtare, i cili kishte një dashuri të veçantë për Skraparin, dhe një nga arsyet kryesore ishte adhurimi dhe vlerësimi i jashtëzakonshëm për këngëtarin e madh Demir Zyko.
Ndaj sa herë që vinim në Skrapar, Dritëroi kërkonte me këmbëngulje që të vizitonim Gjerbësin për të nderuar familjen e Demir Zykos, por edhe për të kënduar dhe për të thënë gjithmonë se: ‘Jeton Xha Demiri, se jeton gjithmonë kënga e tij’!
Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë! Malet, sepse gjithmonë ishin fortesat e lirisë dhe të qëndresës ndaj pushtuesit, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u transmetua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar.
Ndaj jam shumë i lumtur që sot të nderoj Demir Zykon, këtë personalitet të jashtëzakonshëm të kombit tonë, i cili ishte ‘maestro’ i isolopolifonisë toske dhe u shqua në mënyrë të rrallë për intepretimin e këngëve me grupin e tij, duke nderuar kështu edhe bashkëpunëtorët e tij: Medin Kushen, Shahit Gjinarin, Neshat Ebibasin, Agim Cakranin, e shumë të tjerë.
Në kuadër të 500-vjetorit të Skënderbeut, në Festivalin Folklorik Kombëtar në Lezhë, ai këndoi këngën lapidare ‘Mbeçë more shokë!’:
‘Mbeçë, more shokë, mbeçë!.
përtej Urës së Qabesë!
Falëm me shëndet nënesë,
kaun e zi le ta shesë.
Në pyestë nëna për mua
i thoni që u martua.

Në pyestë se ç’grua mori
Tre plumba te kraharori.’
Ai u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por i këndoi si rrallëkush lirisë:
‘39 mos ardhsh kurrë,
Ti që na rrëzove flamur!’
Zëri i artë i Demir Zykos u dëgjua në të gjithë Shqipërinë, deri sa u nda nga jeta në vitin 1992.
Për vlerat e interpretimit të tij muzikor mjaft të veçantë dhe njëkohësisht shumë të vështirë për t’u interpretuar nga kushdo, Demir Zykos iu akordua titulli i lartë ‘Artist i Popullit’.
Edhe pse jo fizikisht mes nesh, tradita e këngës së Skraparit me iso të xha Demirit, vazhdon të mbetet e gjallë, nëpërmjet interpretimit nga këngëtarët e Skraparit dhe nga grupi polifonik i Shoqatës Kulturore ‘Demir Zyko’.
Demir Zyko është vlerësuar për këngët e tij magjike nga studiues, muzikologë, shkrimtarë dhe artistë për zërin e një tenori lirik, të bukur e jashtëzakonisht të ëmbël.
Dëshiroj të citoj fjalët e studiuesit të njohur Shaban Sinani: ‘Polifonia e Xha Demirit përveçoi dhe identifikoi një prej ligjërimeve më të pastra e më burimore të polifonisë shqiptare, polifoninë e Skraparit. Koncepti për polifoninë e pandashme vjen prej kohrash antike’.
Demir Zyko e çoi më tej këngën polifonike toske, atë burimore të viseve të Tomorrit dhe ai, jo vetëm e ringjalli atë, por monumentalizoi këngën polifonike dhe mbetet një prej visarëve të traditës shqiptare.
Demir Zyko mbetet një nga vlerat më të rralla e më të çmuara jo vetëm të isopolifonisë toske të Skraparit, por të gjithë Shqipërisë.
Traditat e bukura të vendit tonë, veçantia dhe bukuria e isopolifonisë, e shumë vlera të tjera të çmuara që ne mbartim si komb duhen përçuar edhe te brezi i ri, të krenohemi me to dhe t’i promovojmë ato sa më shumë, sepse ato janë krenaria e pasurisë dhe trashëgimisë së vendit tonë.”
Ndërsa duke dekoruar zotin Dule Caushaj (Malindin), Presidenti i Republikës vuri në dukje se:
“Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi. Këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit kam sot nderin t’i akordoj Titullin ‘Mjeshtër i Madh’.
Pasioni i Dule Malindit për këngën popullore u shfaq që në fëmijëri duke kënduar këngët polifonike të Skraparit.
I lindur në Malind, fshatin e poetit të madh Xhevahir Spahiu, magjinë e muzikës së tij, e transmetoi jo vetëm në vendlindjen e tij, por edhe jashtë kufijve. Zëri i tij melodioz dhe klarineta e tij përpiqeshin të shuante mallin e shqiptarëve të emigruar për atdheun e tyre.
Dule Malindi ka një repertor të pasur këngësh, përmes të cilit transmeton thellësinë e bukurisë dhe shpirtit të iso-polifonisë dhe muzikës popullore.
Ai e ka përçuar më së miri traditën e këngës së isopolifonisë së Skraparit dhe pa e cenuar atë, ka evoluar muzikën e tij duke sjellë risi në këngën përpunuese popullore me elemente qytetare.
Dule Malindi ka realizuar deri më sot rreth 100 këngë, videoklipe dhe kolazhe të tematikave të ndryshme, duke bashkëpunuar për realizimin e teksteve me poetë të njohur si Xhevahir Spahiu, me krijuesit Arben Duka, Jorgo Papingji, dhe me kompozitorët më në zë në vend.
Muzika e tij ka prekur të gjitha trevat e Shqipërisë, por është dëgjuar edhe në Kosovë dhe kudo në Diasporën Shqiptare, si Maqedoni, Turqi, Kroaci, Amerikë, Angli, Greqi, Itali e deri në Australinë e largët.
Kjo karrierë kaq e pasur ka ardhur si fryt i punës përkushtuese ndaj këngës dhe muzikës, zërit të tij meliodoz, të ëmbël, tërheqës, që radhitet ndër më të mirët në Shqipëri.
I jemi thellësisht mirënjohës Dule Malindit për vlerat që ka treguar dhe frymëzim që ka përçuar për të mbajtur gjallë traditën e këngës së Skraparit e asaj mbarë kombëtare.
Ai është një pasues i denjë i Demir Zykos, ndaj dhe këto dy vlerësime i kemi bashkuar në këtë ditë të veçantë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco