Jamie Fly njofton se është shkarkuar nga pozita e presidentit të REL-it

Jamie Fly njofton se është shkarkuar nga pozita e presidentit të REL-it

10:16, 18/06/2020

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly ka njoftuar të enjten se është larguar nga puna, nga udhëheqësi i ri i Agjencisë amerikane për Media Globale, Michael Pack.

“Me keqardhje të thellë largohem nga ju dhe Radio Evropa e Lirë”, ka thënë Fly në një mesazh drejtuar stafit.

“Udhëheqja e kësaj organizate, nga viti i kaluar, ka qenë nder i jetës sime”.

Agjencia e lajmeve The Associates Press ka raportuar se Pack ka larguar nga puna edhe tre drejtues të transmetuesve tjerë ndërkombëtarë, Radio Azia e Lirë, Rrjetin Transmetues të Lindjes së Mesme, dhe Zyrës së Transmetimit të Kubës.

Edhe udhëheqësi i Fondit të Teknologjisë së Hapur, që po ashtu mbikëqyret nga Agjencia amerikane për Media Globale, është liruar nga puna.

Këto shkarkime kanë ardhur disa ditë pasi drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj, Sandy Sugawara, kanë njoftuar për dorëheqjet e tyre.

Pack, që është emëruar në këtë pozitë dy javë më parë, ka larguar nga bordi i drejtorëve edhe pjesëtarët e këtyre agjencive, si dhe ka instaluar ekipin e tij të menaxhmentit, ka raportuar AP.

Në një email drejtuar stafit, pak para se të kryente shkarkimet, Pack ka thënë se është i përkushtuar për të siguruar pavarësinë e transmetuesve ndërkombëtarë, të cilët janë të angazhuar për të ofruar lajme dhe informacione të pavarura në gjithë botën.

Subjektet e Agjencisë amerikane për Media Globale, kanë një buxhet të kombinuar prej 798 milionë dollarëve, duke ofruar përmbajtje në platformat digjitale, televizion dhe radio, në më shumë se 100 shtete në gjithë botën.

Fly ka thënë se zëvendës-presidentja e Radios Evropa e Lirë, Daisy Sindelar është emëruar si ushtruese e detyrës së presidentit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco