VIDEO/ ‘Tre kamberë në një derë’, ekspozita me karikaturat satirike të Kapexhiut

VIDEO/ ‘Tre kamberë në një derë’, ekspozita me karikaturat satirike të Kapexhiut

21:40, 10/06/2020

Nga Egla Xhemali-SYRI TV

Ekspozita “Tre Kamberë në një derë” e aktorit, regjisorit dhe karikaturistit Bujar Kapexhiu është hapur në Muzeun Kombëtar, për të gjithë dashamirësit e artit.

Një punë 15 vjeçare e profesorit sjellë në 200 punime , në të cilat vihet re syri kritiko-ironik ndaj punës së 3 kryebashkiakëve të fundit të Tiranës, ku nuk mungojnë dhe notat e humorit të hollë dhe plotë finesë.

Hera-herës duket sikur përmes tyre ai ka dashur të zgjojë kujtesën kolektive, për ngjarje që i përkasin të shkuarës dhe ato që po ndodhin. Karikatura e Kapexhiut hyn në skutat më të thella të nënvetëdijes, për të shpalosur të vërtetat, që rrallëkush i thotë.

Punimet e Bujar Kapexhiut ngjallën kërshërinë e të pranishmëve. Mes lumturisë për pritjen e ngrohtë, që i bën punimeve të tij, profesori tregon disa detaje rreth ekspozitës, që udhëton nëpër vite dhe ndalet mbi të sotmen.

Ndër vite të gjithë personazhet, në veçanti, ata që i përkasin politikës kuptojnë se si janë ‘goditur’ përmes një mënyre brilante, megjithatë në reagimet e tyre nuk mungojnë të qeshurat.  Kapexhiu thotë se më e rrezikshme nga të gjitha është të mos ketë karikatura.

Linja narrative, guximi krijues, si dhe stili, që bëhet më marramendës, jo vetëm nga tematikat e trajtuara, po dhe nga mënyra se si artisti e lidh me atë që është e dukshme i bëjnë punimet mjaft të veçanta. Kapexhiu pohon se karikaturat e 2 viteve të fundit, për Teatrin Kombëtar kanë qenë një mënyrë, që shprehte qëndrimin e tij.

Bujar Kapexhiu thekson se ishin të pashmangshme dhe figura të tjera të politikës, që kanë lënë gjurmë në vend. Kjo i bën dhe  më interesante punimet, ndërsa ata sapo shohin karikaturat ballafaqojnë veten me to.  

Profesori na tregon se nuk ka pasur censurë për punimet. Gjatë sistemit komunist dalja e një karikature perceptohej si një alarm dashakeqës, ndërsa me ardhjen e demokracisë ky lloj koncepti ra.

Ajo që vihet re në karikaturat e Bujar Kapexhiut është dhe përfshirja e ambasadorëve të huaj. Nisur nga qëndrimet e artistit, për punën e atyre që kanë qenë dhe të tjerëve, që vazhdojnë të punojnë sot në Shqipëri, ka një cikël të konsiderushëm karikaturash. Artisti ka thënë se për pjesën dërrmuese të tyre ka vërejtje.

Për profesorin arti është i pashmangshëm. Gjtihmonë ka një letër dhe një laps për ilustrime të shpejta, megjithatë këtë herë ai  rrëfen se ka në duar disa libra që priten të vijnë shumë shpejt.

Të pranishëm ishin dhe figura të botës së artit, futbollit dhe politikës që ndan impresionet e tyre për ekspozitën.  Miq të ngushtë të tij, vlerësuan punën disa vjeçare dhe qasjen e tij ndaj të sotmes dhe të djeshmes.  Zhani Ciko, Agim Doçi, Dasara Kariskaj, Armand Duka, Sazan Guri dhe Vilson Gjoça përmes fjalësh krijuan  një buqetë urimesh për profesorin.

 “Bujar Kapexhiu është me fat. Ai është i shënjuar, domethënë ai është “i përzgjedhuri”. Fati i tij është karikatura. Karikatura nuk është thjesht një shpikje e syrit,-por një shpikje e jashtëzakonshme e mendjes”, ka shkruar Moikom Zeqo.

I shenjtëruari me art,  mjeshtri i metaforës së karikaturës do ti japë gjithmonë jetë estetikës, të vërtetës dhe do të ngjyrosi përherë mbi bardhezinë e botës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco