Pikturon me gishta mbi telajo, Amarildo Ruçi: ‘Përtej artit’, ekspozita më e veçantë e realizuar në Shqipëri

Pikturon me gishta mbi telajo, Amarildo Ruçi: ‘Përtej artit’, ekspozita më e veçantë e realizuar në Shqipëri

20:11, 25/05/2020

Periudha e izolimit e ka frymëzuar piktorin Amarildo Ruçi. Ai ka vendosur të rikthehet shumë shpejt me  një mori punimesh shumëngjyrëshe. Lajmi është bërë me dije në emisionin “Kafe shqeto” të moderatorit Flavio Qarri. Ekspozita do të titullohet “Përtej artit” dhe do të ketë si simbolikë  tullumbacin. Ai merr trajta dhe forma të ndryshme në pikturë e natyrisht shpreh dhe këndvështrimin e tij për botën.

“Tullumbaci merr trajta dhe forma të ndryshme, në varësi të veprës. Më ka ndjekur dhe më parë, po duke ardhur e duke u plotësuar. Kjo pjesa e izolimit në shtëpi bëri që krijimtaria të zhvillohej akoma dhe më shumë. E gjeta veten plotësisht. Është një simbol, që mund të marrë trajta dhe forma lehtësisht në pikturë dhe të plotësojë kuptimin e veprës. Besoj se edhe vetë jeta siç ishte rasti i tërmetit ose virusit na mësojë që edhe jeta është tullumbace. Mund të jetë aq e bukur dhe pasigurt në të njëjtën kohë. Këto dy ngjarje na kanë mësuar shumë, që duhet ta jetojmë çdo ditë si të jetë e fundit, të japim më të mirën nga vetja dhe ta plotësojmë çdo ditë me vepra të mira“, u shpreh Ruçi.

Piktori tha se po pret, që muze të fillojë punën si zakonisht. Ekspozita do të zhvillohet në sallën e madhe të Muzeut Kombëtar. Pyetjes së moderatorit, se pse arti është i rëndësishëm në këtë periudhë, Amarildo iu përgjigj kështu: Arti ul  nivelin e stresit, të jep kënaqësi dhe të ndihmon në zhvillim e trurit në pjesën e kreativitetit të tij.

Ndër të tjera, Ruçi ka pohuar se arti dhe artistët duhen mbrojtur, pasi mbajnë gjallë historinë e vendit.  Po ashtu, piktori shtoi se shoqëria sot është bërë shumë sipërfaqësore, ndikohet nga pjesa materiale dhe ka humbur ndjeshmërinë për gjëra shpirtërore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco