Shfaqja 'Bryma e Vdekjes' transmetohet sonte në facebook

Shfaqja 'Bryma e Vdekjes' transmetohet sonte në facebook

10:35, 14/05/2020

Në kuadër të programit online për muajin maj, sonte, me 14 Maj 2020, në ora 21:00, nëpërmjet formatit livestream në Facebook, transmeohet shfaqja "Bryma e Vdekjes", nga Milazim Krasniqi me regji të Burbuqe Berishës, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

"Drama “Bryma e vdekjes” ka qenë e ngulitur në mendjen time para se të shndërrohej në tekst, si përvojë jetësore, si traumë. Një polici që ishte cinik përballë turmës së dërrmuar në kampin e Bllacës, i pata thënë se do t’ua përjetësoja turpin, për atë që po bënin, pasi atë vend e patën shndërruar në një kamp përqendrimi. Ndoshta në atë moment më është dukur se ajo që po më ndodhte mua dhe gjithë asaj turme, ishte një skenë teatri, ku luhej një tragjedi. Pak a shumë ashtu ka ndodhur edhe në kohën e Eskilit dhe me vetë Eskilin: ai i përjetoi misteret e tempullit të Eleuzinës, mandej atë përvojë e shndërroi në teatër. Raporti ndërmjet jetës konkrete dhe artit, teatrit në veçanti, është lehtësisht i identifikueshëm. Megjithatë, për t’u shndërruar shenjat e jetës konkrete në vlera artistike, duhet të kalojnë nëpër një proces transponimi artistik. Përvoja ime- trauma ime me Bllacën, ka kaluar nëpër atë proces, duke marrë vetëm disa shenja prej realitetit e duke e krijuar një realitet që funksionon me logjikën e artit. Në këtë kontekst, drama “Bryma e vdekjes” pasohet edhe nga dramat “Një Antigonë e re” dhe “Kësulkuqja e shekujve”, me të cilat bëjnë një trilogji, me çka kam ndjekur idenë e tragjedisë antike greke, që konstitutohej si trilogji. Por, drama “Bryma e vdekjes” funksionon edhe si vepër më vete, ashtu si ka ardhë në këtë repertor, për të provokuar kërshërinë dhe shijen tuaj.
Uroj të lini duartrokitje, e jo lotë, në ballafaqim me këtë përvojë artistike. Dhe ta merrni me vete mesazhin se një tragjedi jetësore, pra edhe ajo e kampit të Bllacës, mund të shndërrohet në vlerë afatgjatë kombëtare e morale, vetëm nëse rikuptimësohet dhe përjetësohet edhe në art", - Milazim Krasniqi

Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përgjithmonë!

#rrinshpishikoteatër #teatrikombëtar #teatrionline

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco