'Muzeu im', ekspozita e parë virtuale e trashëgimisë familjare në Kosovë

'Muzeu im', ekspozita e parë virtuale e trashëgimisë familjare në Kosovë

17:51, 07/05/2020

Në kuadër të përgatitjeve për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, po përgatitin një ekspozitë virtuale “Muzeu im”, e cila do të shënohet me 18 maj, duke i bërë thirrje qytetarëve të japin kontributin e tyre.

Për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid 19, ku shumë muze në botë qëndrojnë të mbyllur, aktivitetet e planifikuara për t’a shënuar këtë ditë ICOM do t’i sjellë në një formë të re në mënyrë digjitale. Edhe Kosova i është bashkëngjitur kësaj nisme pasi që Muzeu Kombëtar i Kosovës që disa vite me radhë e feston këtë ditë me aktivitete të shumta, dhe për gati katër vite është pjesë e ICOM-it.

Edhe këtë vit, në Kosovë do të bëhen organizime për ta shënuar këtë ditë me aktivitete e ngjarje kreative që do të sillen në mënyrë digjitale, e ku bën pjesë edhe ekspozita virtuale në fjalë.

Ekspozita virtuale e cila do të organizohet nga Muzeu Kombëtar i Kosovës ka për qëllim të sjellë muzeun më afër banorëve të Republikës së Kosovës, për ta ngritur vetëdijen rreth vlerave dhe ruajtjes së trashëgimisë dhe diversitetit tonë kulturor.

Konkretisht, Muzeu im është një aktivitet/ekspozitë virtuale e organizuar për të ndihmuar bashkëpunimin në mes komunitetit dhe Muzeut, dhe ofron një qasje të re për gjithpërfshirje duke integruar në ekspozitë koleksione nga trashëgimia familjare e banoreve të Republikës së Kosovës. Qëllimi është që duke qëndruar në shtëpi të ndërtojmë një ekspozitë virtuale me punime (vizatime, piktura, dizajnime), objekte (vegla pune, enë, orendi, punime të vjetra druri, metali, guri; veshje), fotografi të dërguara në format digjital.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve organizohet nga ICOM (International Council of Museums) që nga viti 1977 për çdo vit me 18 Maj me një temë të veçantë. Për ta shënuar këtë ditë, më shumë se 44 mijë Muze nga 138 vende të botës marrin pjesë duke zhvilluar aktivitete dhe ngjarje kreative që lidhen me temën e caktuar. Këto aktivitete kanë për objektivë ngritjen e vetëdijes te njerëzit që “Muzetë janë mjet shkëmbimi kulturor, pasurimit të kulturës dhe zhvillimit të dyanshëm, bashkëpunimit dhe paqes mes njerëzve”.

Tema e caktuar për këtë vit nga ICOM “Muzetë për Barazi: Diversitet dhe Gjithëpërfshirje” do të përdoret nga muzetë e botës si pikë e besueshme për të festuar diversitetin kulturor në mes të komuniteteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco