Kur u realizua ëndrra e dijetarit shqiptar, Kostandin Kristoforidhi

Kur u realizua ëndrra e dijetarit shqiptar, Kostandin Kristoforidhi

11:41, 04/05/2020

Nga Aurenc Bebja, Francë

“Le Matin” ka botuar, të dielën e 18 dhjetorit 1904, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me botimin e fjalorit “shqip – greqisht” të dijetarit dhe atdhetarit të njohur shqiptar, Kostandin Kristoforidhit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Greqia dhe Shqipëria

“Një dijetar shqiptar, Kostandin Kristoforidhi, i lindur në Elbasan, vdiq në vitin 1895, i cili kishte studiuar në gjimnazin grek të Janinës, ndërmori gjatë jetës së tij dhe përfundoi një fjalor shqip-greqisht, një vepër absolutisht të plotë, të cilën për fat të keq ai nuk mundi ta botonte, pasi vdekja e befasoi atë në mes të punëve të tij të shumta.

Dhe tani ëndrra e Kristoforidhit, i cili pati punuar me guxim për bashkimin e Shqipërisë dhe Greqisë, u realizua sot, dhe vepra e tij kombëtare, rezultati i njëzet viteve të punës së palodhur, shfaqet në dritë në formën e një vëllimi të bukur prej pesëqind faqesh.

Botimi i këtij fjalori mund të konsiderohet një ngjarje akoma dhe më e jashtëzakonshme për arsye se kundërshtarët e idesë greko-shqiptare, të mërzitur se nuk arritën të blejnë atë që konsiderohet me të drejtë një thesar kombëtar, pavarësisht arit që i kishin ofruar autorit, u nxituan të shpallnin se grekët, duke dëshiruar që gjuha shqipe të zhdukej me kalimin e kohës, kishin djegur dorëshkrimin e Kristoforidhit.

Sot është kënaqësi që Greqia i ofron kombit fisnik shqiptar veprën e çmuar të Kristoforidhit, duke paguar kështu një borxh në kujtim të atij që kishte bindjen e palëkundshme që, nga përhapja e gjerë e letërsisë greke në mesin e popullit shqiptar, ky i fundit do të arrinte të formonte gjuhën e vet, ta ngrejë atë, ta fisnikërojë dhe ta bëjë të denjë për përpjekjet e tij civilizuese dhe mendimet e tij fisnike.”

    (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco