60 vjetori i RTSH/ Meta: Filmat më të dashur, ja kur dola për herë të parë në TV

60 vjetori i RTSH/ Meta: Filmat më të dashur, ja kur dola për herë të parë në TV

21:11, 29/04/2020

Intervista e Presidentit Meta dhënë për Radio Televizionin Shqiptar me rastin e 60-vjetorit të fillimit të transmetimeve

Pyetje: Zoti President, faleminderit që jeni pjesë e ‘festës’ tonë!

Presidenti Meta: Ishte një kënaqësi e veçantë t’i përgjigjesha pozitivisht ftesës dhe festës tuaj, që është festë e të gjithëve besoj.

Pyetje: Në fakt sot nuk është thjeshtë60-vjetori i Televizionit Publik Shqiptar, por është 60-vjetori i televizionit të parë shqiptar. 60 vjet më parë ne nuk kishim një televizion tonin dhe, e çuditshme 60 vjet nuk janë shumë në fakt, papritmas ne jemi bërë një pjesë e pashmangshme e përditshmërisë sonë është bërë gati si një lloj gjymtyre, si një lloj zgjatimi i jetës sonë.

Doja ta nisja me një pyetje hipotetike e përfytyroni dot mungesën e televizionit sot?

Presidenti Meta: Është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur.Televizioni është një mjet mjaft i fuqishëm i komunikimit edhe i përfshirjes së secilit në jetën shoqërore, jo vetëm politike.

Pyetje: Megjithatë ka këndvështrime të ndryshme për t’i parë gjërat, po ashtu edhe televizionin dhe kam përshtypjen ndryshe e shikon një burrë, një baba, një familjar, ndryshe e shikon një profesionist, një politikan dhe ndryshe e shikon besoj një pushtetar, ndryshe e shikon një opozitar, ndryshe një President dhe ndryshe një aspirant për politikë. Këto dallimet e vogla apo të mëdha dua të mi shpjegoni pak ju?

Presidenti Meta: Këndvështrimi është i ndryshëm në varësi të mesazhit, profesionalizimit apo objektivitetit të informacionit të përcjellë,në raport me interesat, subjektivizmin dheemocionet e secilit qytetar.

Pyetje: Cilat janë interesat e Ilir Metës, pra jo të Presidentit, jo të politikanit?

Presidenti Meta: Në raport me Televizionin Publik Shqiptar interesi im është vetëm të mbrojë interesin publik edhe atë kombëtar.Kjo padyshim vlen edhe për televizionet e tjera, por kuptohet që TVSH ka një detyrim shumë herë më të fortë se gjithë të tjerët apo jo?

Pyetje: Me siguri që hera e parë e juaja përpara një kamere duhet të ketë qenë përpara kamere të TVSH-së me siguri këtu e 30 vjet më parë thuajse.A ju kujtohet hera e parë?

Presidenti Meta:Besoj se po, sepse nuk kishte alternativ tjetër në atë kohë, në atë periudhë.

Janë dy momente. Hera e parë kur kam qenë fëmijë.Është bërë njëdokumentar me nxënës të një shkolle fillore, unë në atë kohë kam qenë në shkollën ‘Kongresi i Lushnjes’ dhe u përzgjodha për të qenë pjesë e këtij grupi nxënësish, që do të shërbenin për realizimin e dokumentarit. Hera e dytë ka qenë në takimin e studentëve me ish-Presidentin Ramiz Alia në 11 dhjetor 1990, kur unë isha pjesë e delegacionit të studentëve dhe pedagogëve atë natë kur ai u detyrua të pranojë pluralizmin politik.

Image

Pyetje:A ka ndodhur këtu kjo ngjarje, në këtë mjedis?

Presidenti Meta: Jo, kjo ka ndodhur në Pallatin e Brigadave.

Pyetje: Çfarë i bën televizioni, kamera një personazhi në fillimin e karrierës së vet? Si e keni ndjerë veten ju ose çfarë komentesh merrnit në momentin që filluat tëshfaqeshit në ekran?

Presidenti Meta: Momentet e para të shfaqjes time në ekran janë në fillimet e vitit ‘90, në kohën e fillimit edhe të pluralizmit politik. Angazhimi im i parë ka qenë në fund të vitit ‘91, fillim viti ‘92 kurkandidova për deputet në një moshë shumë të re, 22-vjeçare, për Partinë Socialiste në atë kohë. Por mjedisi ishte aq i polarizuar në Shqipëri sa reagimet ishin totalisht, ekstremiste do të thosha ose antagoniste.

Pra, një pjesë ishin shumë mbështetës ose shumë përkrahës, dhe një pjesa tjetër reflektonin një ngarkesë mjaft të madhe emocionale në kuptimin e kundërshtimit.

Pyetje:Këtë e shkakton politika dhe ka përshtypjen që e shkakton politika gjithmonë, por unë dua të di, ku ju dilnit në ekran, familjarët tuaj, njerëzit e afërt si reaguan? Intervista e parë që keni dhënë, çfarë komentesh keni marrë më pas?

Presidenti Meta: Nuk jam shumë i sigurt tani për t’iu kthyer asaj kohe, por gjithmonë reagimet varen shumë, jo vetëm ngaai që flet përmes ekranit, ku paraqet një opinion apo mendim, por edhe atyre që e dëgjojnë, se sa tolerantë, mirëkuptues apo se sa afër janë me idetë e vlerësimet e shprehura, dhe kjo gjithmonë është e pamatshme.

Pyetje: Zoti Meta, RTSH ka lindur më 29 prill 1960, që është një datë që përkon më ditëlindjen e djalit tuaj, që sot mbush 20 vjeç. I urojmë jetë të gjatë!

Presidenti Meta:Faleminderit! Po, djali im e ka ditëlindjen në një ditë me Televizionin Publik Shqiptar.

Pyetje: Dua të ndalem pak te fëmija dhe ekrani. Do të doja të ktheheni pas në kohë dhe të kujtoni veten tuaj si fëmijë para ekranit. Cilat ishin personazhet e fëmijërisë tuaj me të cilët komunikonit nëpërmjet ekranit dhe çfarë ndryshimi ka me fëmijët tuaj?

Presidenti Meta: Në fëmijërinë tonë, personazhet më të dashur besoj ishin ‘Tomka dhe shokët e tij’, ‘Mimoza Llastica’ e ‘Beni ecën vetë’, aq më tepër për mua që në atë periudhe isha një fëmijë, që dhe pse jetoja në kryeqytet kisha shumë dëshirë t’i bëja pushimet, jo në bregdet, por në fshat.

Padyshim i adhuronim aktorët e jashtëzakonshëm si Rikard Ljarja, i cili për fat të keq u largua pak ditë më parë, me ato personalitete të jashtëzakonshme që krijoi, aq të dashura si për nxënësit, për fëmijët, si ‘Komisari i dritës’ apo shumë të tjera.

Ne jemi rritur mjaft të lidhur me televizionin dhe televizioni pavarësisht nga ngarkesa ideologjike e kohës, po për fat të keq po e provojmë edhe sot që televizionet janë mjaft të ndikuara edhe pse jemi në demokraci nga interesa ekonomike, financiare apo politike, por dua të flas për atë periudhë kur ne jemi rritur, televizioni ka luajtur një rol shumë të madh edukativ. Heqim pjesën ideologjike, sepse çdo kohë ka ideologjinë e vet. Për fat të keq edhe çdo parti në pushtet, edhe në demokraci, përpiqet të ndikojë për interesat e saj në media, por mendoj që ka qenë një periudhë e mrekullueshme.

Ne kemi shumë nostalgji, shumë dashuri për televizionin dhe sigurisht që besoj se e kujtojmëse kur kemi qenë fëmijë, ngaqë kishte shumë pak televizorë, mblidheshim në shtëpitë e njëri-tjetrit për të parë një ndeshje futbolli apo për të parë një film, një program të veçantë të saj kohe. Ktheheshin ato pallatet, apartamentet e atij që kishte televizor – më pas atyre që kishin televizor me ngjyra, sepse hap pas hapi gjërat filluan të modernizoheshin – në ambiente shumë të këndshme sociale.

Pyetje:Sidoqoftë TVSH-ja provokon nostalgji dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Unë do të doja në fund urimin tuaj special, që ju përket ju, lidhur me festën tonë.

Presidenti Meta: Dëshiroj t’i uroj TVSH-sëedhe 100 vite të tjera me suksese dhe të jetë një televizion edhe më i ndjekur dhe mendoj qëështë interesi i të gjithëve që TVSH-ja të forcohet si institucion i rëndësisë publike, por edhe i rëndësisë kombëtare në këtë kohë kur pluralizmi i mediave padyshim qëështë një gjë shumë e mirë, por kur për fat të keq mediat private përpiqen të dobësojnë ndonjëherë mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e interesit kombëtar për arsye të tjera.

Kështu që TVSH-ja ka një rol shumë të madh. Nuk e ka humbur mendoj unë rolin dhe misionin, ndaj duhet mbështetur nga të gjithëpër të qenë sa më i pavarur, profesional, sa më i ndjekur, në mënyrë që t’i orientojë edhe më drejt zhvillimet në të ardhmen, por edhe të jetë një model për televizionet e tjera, për profesionalizmin dhe për përgjegjshmërinë.

E ndërkohë mirënjohje më të thellë për të gjithë atë brez drejtuesish të periudhave të ndryshme, që kanë kontribuuar, që kanë dhënë më të mirën e tyre, duke u shndërruar në shembuj për shumë gazetarë të tjerë më pas.Padyshim janë pjesë e nostalgjisë sonë, e adhurimit tonë dhe ndonëse disa prej tyre nuk jetojnë më, do të mbeten të paharruar për kontributet e tyre historike.

Pyetje: Faleminderit zoti President!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco