'Nuk mundem! E pashë Atdheun lakuriq': Dita për të përkujtuar poetin pa varr, Trifon Xhagjika

'Nuk mundem! E pashë Atdheun lakuriq': Dita për të përkujtuar poetin pa varr, Trifon Xhagjika

09:13, 29/04/2020

Sot, historia jonë përkujton poetin pa varr, ushtarakun dhe disidentin, Trifon Xhagjika (1932 - 1963).

“Po të më jepni një top do të qëlloja mbi regjimin tuaj”.

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua në 1954 në Shkollën e Bashkuar për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për gazetari e histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”.

Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar.

Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, diçka e tillë do e çonte në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua.

Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij, thuhet ne Muzeun Kombëtar "Shtëpia me gjethe".

Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco