Jerina

Jerina

13:03, 01/04/2020

Fragment

Doli Jerina kryeneçe e tunduese, atëherë kur mendohej se emri i saj do të lidhej vetëm me bukurinë e luleve, aromën dehëse të petaleve që në fillim e mbarim pranvere i linin njerëzit pa mend dhe pa gjumë.

Princesha Jerina, e bija e princit shqiptar Lekë Dushmani, e la pa mend mbretërinë arbërore, nxiti dashurinë e burrave të shquar, por edhe mërinë e princërve në mes vete. Lekë Dukagjini ngrysej e zgjohej me mendjen në Jerinën e Lekë Dushmanit. Lekë Zaharia, princi tjetër me nam, gdhihej me Jerinën në zemër, duke i premtuar tokë e qiell. Puna vajti deri aty sa dy princat u ndeshën egërsisht në mes vete për zemrën e trupin e saj. Thuhej se Jerina e donte Lekën e Zaharive, por Leka i Dukagjinit nuk e pranonte kurrë këtë dashuri. Nderi a kaprici kalorësiak ua kërkonte dy Lekëve zemërakë të luftonin për jetë a vdekje.

Nisi ndeshja e egër që e dridhi fushën e dyluftimit: godiste Leka, e priste Leka tjetër, mbushej frymë e zemërim Leka, përballë tij Leka ia kthente me zemërim e frymëmarrje të rënduar deri atëherë kur Lekë Zaharia i dha goditje vdekjeprurëse Lekë Dukagjinit. Ushtarët kur e panë princin e tyre të larë në gjak, u sulën trimërisht kundër Lekë Zaharisë që ta bënin copë e grimë, por dolën ushtarët e princit Zaharia para me po aq zemëratë.

Luftë e egër u bë atë ditë deri në perëndim të diellit. Vringëllinin shpatat, çaheshin parzmoret, rrëzoheshin kuajt, bërtisnin burrat. Pluhur e re u ngrit mbi fushë deri lart në qiell. Britma e ofshama e mbuluan dheun. Vdiqën shumë burra, u plagosën e u gjymtuan shumë të tjerë. Luftë më të egër e më të rreptë në mes të arbërorëve, kronistët as kishin parë, as kishin dëgjuar. Jehona e betejës erdhi deri në qytet. Thuhet se ndërhyri Vrana Konti, sepse fushën do ta mbulonin edhe më shumë trima të vdekur, por në tërbimin e përgjithshëm mori plagë derisa futej në mesin e burrave të kreshpëruar. Plagë në shpirt mori edhe Gjergj Kastrioti me të dëgjuar se në fushëbetejë në mes të arbërorëve u vranë gjithë ata trima që vendin e kishin përballë ushtrive armike.

Kështu, pas asaj ngjarjeje tragjike, kur u vranë njëqind e pesë burra, kur Lekë Dukagjini po i mëkonte plagët, Jerina vuante për burrat që ranë në betejë, për nënat që mund ta mallkonin, vuante për fatkeqësinë që e goditi, megjithëse ajo nuk e tradhtoi as e provokoi askënd, ajo u bë viktimë e bukurisë së vet.

Rrodhi shumë ujë nën urën e Drinit. Princi i zemrës së saj nuk e gëzoi gjatë Jerinën në kështjellë, sepse Lekë Dukagjini, idhnak e hakmarrës e vrau në pritë a në gjueti Lekë Zaharinë, nuk u qartësua deri në fund.

Princeshë Jerina, e bija e princit Lekë Dush¬mani, e tronditur nga fatkeqësia që e goditi, e kishte dhënë tashmë fjalën si në eposin e kreshnikëve: "fat ma të mirë nuk i dua vetit", e çoi fjalën në tërë Arbërinë. Lekë Zaharia ishte fati e dashuria e saj tragjike, u tha kasnecëve. Me aromën e kujtimin e një burri do të vdiste, s'kishte kush që mund t'ia zinte vendin. U mbyll në manastir, katër orë larg kështjellës. Pikëllimi po e mbyste.

Pas një kohe burra e gra betoheshin në tokë e në qiell, në Shenjtin Shën Koll se çdo natë e dëgjonin zërin e Jerinës se si e grishte me mall Lekë Zaharinë. Të tjerët ishin të sigurt se e dëgjonin Lekën se si e grishte përmallshëm Jerinën. Kur i dëgjonin këto thirrje përmallimi të largëta vajzave të reja zemra u copëtohej nga pikëllimi, burrave u shpëtonte nga gjoksi një psherëtimë e gjatë ngashëruese.

Legjenda thotë pastaj se Jerina e braktisi Arbë¬rinë, kaptoi male e dete, u vendos në manastirin e grave në Sardenjë. Aty e kaloi pjesën tjetër të jetës, në lutje e devocion. Ajo e la një fjalë të fundit para se të vdiste, trupin t'ia varrosnin në vendlindje, aty ku e varrosën të dashurin e saj Lekë Zaharinë. Kujt ia la këtë fjalë me peshë, nuk dihet. Askush nuk e thotë pse nuk ia përmbushën dëshirën e fundit që trupin t'ia kthenin në vendlindje?

Shekujt gati e qitën në harresë këtë legjendë tragjike për Jerinën e bukur që s'pati as hak as hile, ndërsa vuajti deri në fund të jetës për bukurinë që ia fali Zoti, vuajti edhe për dashurinë që nuk e gëzoi.

Gani Mehmetaj

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco