Qeveria “befason”, shkel dy ligje me “Lojë jete” që dështoi në konkurs

Qeveria “befason”, shkel dy ligje me “Lojë jete” që dështoi në konkurs

08:12, 22/02/2019

Kabineti qeveritar ka dalë të jetë më “profesionist” sesa një juri e përbërë nga artistë vendorë e të huaj sa i përket vlerësimit të projekteve kinematografike. Qeveria e Kosovës pos që në kundërshtim me Ligjin për kinematografi ka ndarë 180 mijë euro për projektin filmik “Lojë jete”, në këtë rast ka vepruar edhe në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike. Kjo pasi mjetet janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë.

Vendimi i Qeverisë të martën e javës së kaluar ka rrëzuar atë të një jurie profesionale. 

Vitin e kaluar regjisori Luan Kryeziu kishte konkurruar në Qendrën Kinematografike të Kosovës me projektin kinematografik “Lojë jete”.

Nuk ishte përzgjedhur në mesin e pesë projekteve fituese për film të metrazhit të gjatë. Madje në listën e projekteve që nuk janë përkrahur ishte radhitur si i gjashti, sipas pikëve vlerësuese të jurisë. Kishte arritur të merrte vetëm 23 pikë. 

Juria, në përbërje të Isa Qosjes, regjisor, Giovanni Robbian, ekspert i skenarit, Jozko Rutar, producent, Blerta Zeqirit, regjisore, Doruntina Bashës, skenariste, Florent Mehmetit, regjisor dhe Ilir Gjocaj, skenarist, kishte ardhur në përfundim se skenari i “Lojë jete” nuk i plotësonte kushtet.

“Juria vlerësuese ka konstatuar se projekti ‘Lojë jete’ nuk i plotëson kushtet për subvencionim për shkak se skenari i këtij projekti ka nevojë të zhvillohet ende posaçërisht në aspektin e zhvillimit të personazheve, të marrëdhënieve mes tyre dhe fokusimit të veprimit kryesor dramatik. Juria vlerësuese rekomandon që bartësi i projektit të ndjekë hapat e mëtutjeshëm për zhvillim të këtij projekti në mënyrë që të përgatitet si duhet për ta realizuar potencialin artistik”, shkruhet në vlerësimin e jurisë shtatanëtarëshe.

Por kjo nuk e ka penguar Qeverinë që të marrë vendim për përkrahjen e filmit. Madje edhe në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike, shkruan Koha Ditore.

Në pyetjen drejtuar Zyrës së kryeministrit Ramush Haradinaj për herë të tretë, nuk është marrë ndonjë përgjigje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco