Një ngjarje e pazakontë ka tronditur Botërorin 2026, pasi arbitri somalez, Omar Artan, ka deklaruar se i është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se kishte dokumentacionin e plotë dhe vizën e rregullt për turneun.
Në një intervistë për “New York Times”, Artan shprehu zhgënjimin e tij të thellë, duke thënë se ishte trajtuar si një person nën dyshim, megjithëse synimi i tij i vetëm ishte pjesëmarrja në Kupën e Botës si arbitër.
“Jam shumë i zhgënjyer. Jam thjesht një arbitër që po ndjek ëndrrën time më të madhe, pjesëmarrjen në Botëror. Kisha të gjitha dokumentet e duhura dhe vizën e rregullt, por besoj se ata kanë problem me vendin tim”, u shpreh ai.
Sipas rrëfimit të tij, Artan është mbajtur për rreth 11 orë në një dhomë kontrolli nga autoritetet kufitare amerikane, ku është marrë në pyetje për një kohë të gjatë. Më pas, ai është transferuar në një qendër ndalimi, ku ka qëndruar edhe disa orë të tjera përpara se të deportohej me avion drejt Stambollit, ku ndodhet aktualisht.
Gjatë intervistës, arbitri ka treguar se u ka paraqitur zyrtarëve dokumentet zyrtare të FIFA-s, si dhe materiale që dëshmonin karrierën e tij mbi dhjetëvjeçare si gjyqtar profesionist. Megjithatë, sipas tij, autoritetet kufitare kanë vazhduar me pyetje të detajuara mbi situatën politike në Somalinë e tij të lindjes.
Ai ka theksuar se një pjesë e pyetjeve ishin të lidhura me grupin militant Al-Shabaab, i cili vepron në disa zona të Somalisë dhe ka qenë prej vitesh në konflikt me qeverinë e vendit.
Artan, i cili ishte vlerësuar vitin e kaluar si arbitri më i mirë në Afrikë nga Konfederata Afrikane e Futbollit, pritet të kthehet në Mogadishu, ndërsa ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi procedurat e hyrjes së zyrtarëve të garave ndërkombëtare në SHBA.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: