Përfaqësuesja e Anglisë ka përjetuar momente shqetësuese gjatë përgatitjeve për Botërorin 2026, pasi një tërmet me magnitudë 6.1 ballë u ndie në kampin e saj stërvitor në West Palm Beach, Florida.
Lëkundjet sizmike erdhën vetëm pak ditë para ndeshjes miqësore që skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel do të zhvillojë ndaj Kosta Rika. Sipas raportimeve, epiqendra e tërmetit ndodhej në det, në perëndim të Kubës, rreth 650 kilometra larg Floridës Qendrore.
Megjithatë, lëkundjet u përhapën në një zonë shumë të gjerë, duke u ndier në qytete të mëdha si Orlando, Miami dhe Jacksonville, si dhe në West Palm Beach, ku është vendosur kampi i Anglisë.

Sipas ekspertëve amerikanë, bëhet fjalë për tërmetin më të fuqishëm që ka goditur rajonin e Gjirit të Meksikës në afro 150 vjet. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së raportoi se tërmeti kishte një thellësi prej vetëm 16 miljesh (rreth 26 kilometrash), çka bëri që lëkundjet të ndiheshin më fort në sipërfaqe.
Në disa zona u urdhërua evakuimi i ndërtesave, ndërsa lëkundjet u ndien edhe në atraksione të njohura turistike, përfshirë kompleksin e famshëm Walt Disney World.
Autoritetet amerikane konfirmuan se nuk ekziston rreziku i një cunami pas tërmetit. Deri tani nuk janë raportuar viktima apo dëme të mëdha materiale, megjithëse situata po monitorohet me kujdes.
Lëkundjet më të forta u ndien në Kubë, vetëm rreth 100 kilometra nga epiqendra. Banorët vendas përshkruan skena paniku, me shumë njerëz që dolën menjëherë jashtë banesave nga frika e shembjeve.
Ndërkohë, skuadra angleze vazhdon programin e saj stërvitor në Florida. Tërmeti nuk ka shkaktuar probleme për ekipin, por padyshim ka sjellë një situatë të pazakontë në prag të turneut më të madh të futbollit botëror.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: