Finalja e Kupës së Botës 2026 do të shndërrohet në një festë të madhe publike në New York City. Kryebashkiaku i qytetit, Zohran Mamdani, ka njoftuar se ndeshja e madhe e 19 korrikut do të transmetohet falas në ekran gjigant në Central Park, duke u dhënë mijëra tifozëve mundësinë ta ndjekin nga afër atmosferën e turneut pa pasur nevojë të blejnë bileta të shtrenjta.
“Askush nuk ka nevojë të shpenzojë mijëra dollarë për të parë finalen e Botërorit”, deklaroi Mamdani gjatë prezantimit të iniciativës, e cila synon ta bëjë turneun një ngjarje të hapur për të gjithë qytetarët.
Aktiviteti do të zhvillohet në zonën e njohur Great Lawn të Central Parkut dhe pritet të mirëpresë rreth 50 mijë banorë të Nju Jorkut, të cilët do të përzgjidhen përmes një shorti publik. Përveç transmetimit të finales, organizatorët kanë planifikuar një sërë aktivitetesh argëtuese, përfshirë një mini-arena të FIFA-s, turne futbolli dhe ndeshje miqësore gjatë gjithë ditës.
Më herët, në fund të muajit maj, Mamdani arriti një marrëveshje me presidentin e FIFA, Gianni Infantino, për të ofruar bileta me çmime të reduktuara për banorët e qytetit.
Organizata Global Citizen do të shpërndajë rreth 40 mijë bileta falas përmes një sistemi lotarie, ndërsa 10 mijë të tjera do t’u rezervohen akademive të futbollit për të rinj, organizatave komunitare dhe shoqatave jofitimprurëse.
Edhe guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, shprehu entuziazmin për ardhjen e Botërorit në rajon. Ajo deklaroi se autoritetet presin më shumë se një milion vizitorë nga e gjithë bota gjatë turneut dhe theksoi se synimi është që secili prej tyre të përjetojë një eksperiencë të nivelit më të lartë.
Sipas organizatorëve, iniciativa në Central Park synon të krijojë një atmosferë unike dhe të sigurojë që jo vetëm tifozët e ardhur nga jashtë, por edhe vetë banorët e Nju Jorkut, të jenë pjesë e magjisë së Botërorit 2026.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: