Lajmi i fundit

Dita 10 e protestës para Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Irani akuzon SHBA-në për bllokimin e biletave të Botërorit 2026

Irani akuzon SHBA-në për bllokimin e biletave të Botërorit 2026

16:15, 09/06/2026

Federata e Futbollit e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se i kanë revokuar kuotën e biletave për Kupën e Botës 2026, duke krijuar një “pengesë serioze” për praninë e tifozëve iranianë në ndeshjet e fazës së grupeve.

Në një deklaratë zyrtare, federata iraniane u shpreh se “më pak se tri ditë para fillimit të turneut, SHBA-ja po pengon edhe një herë tifozët iranianë të ndjekin ndeshjet e kombëtares së tyre”. Federata iu referua rregullores së FIFA-s, sipas së cilës 8% e biletave për çdo ndeshje u ndahen federatave të vendeve pjesëmarrëse për t’i shpërndarë ose rishitur te tifozët.

Sipas Iranit, kjo kuotë është tërhequr papritur. “Federata e Futbollit e Iranit është e pamundur të sigurojë bileta për tifozët iranianë”, thuhet në komunikatë. Deri tani, as FIFA dhe as autoritetet amerikane nuk kanë komentuar publikisht mbi çështjen.

Kjo është vetëm përplasja më e fundit mes Iranit dhe SHBA-së në lidhje me pjesëmarrjen e Iranit në Botërorin e organizuar nga SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja. Edhe pse Irani ishte ndër vendet e para që siguroi kualifikimin, pjesëmarrja e tij u vu në diskutim pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt.

Problemet nuk janë kufizuar vetëm te biletat. Shtetet e Bashkuara refuzuan vizat për rreth 15 anëtarë të delegacionit iranian, përfshirë staf teknik dhe presidentin e federatës, Mehdi Taj. Pasiguria mbi miratimin e vizave e detyroi kombëtaren iraniane të zhvendosë kampin bazë nga Tucson, Arizona, në Tijuana të Meksikës.

Skuadra mbërriti në Tijuana më 7 qershor dhe do të qëndrojë atje gjatë gjithë turneut, ndonëse të tri ndeshjet e fazës së grupeve – ndaj Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjiptit – do t’i zhvillojë në territorin amerikan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco